Tuesday, July 20, 2021

Përbirojsa ose Kërshi Përbirues , Sylbicë

 

Që heret njerëzimi  ka shfaqur nevojën e besimit,  besimeve në njerëz, objekte apo dukuri të ndryshme që kanë arrdhur gjer në ditetët e sotme  si besime të thella  shpirterore,    forca të mbinatyrshme. (...pa përmendur dhe kaluar më pas në besimet e devotshme në fe të ndryshme) .


Si në shumë popuj të botës edhe tek ne shqiptaret ka qënë i pranishem  ky lloj besimi, pagan… Ku njerëzit nga dëshira, nevoja apo frika ,duke ardhur si faktor të mbinatyrshem , apo dhe si imponime të vetvetës, kanë ngritur besime dhe  kulte të ndryshme duke e  përcjelle më pas tek njeri-tjetri, si besimin tek dijetaret, njerëzit e mirë, në zana, orë, vampirë, lugetër, drangojë, kuçedra, ujra, shpella, shkembinjë, gur, pemë, kafshë, dukuri natyrore, hëna, dielli, oret e muzgut, oret e agut, pika e ditës, varre, nga ku besonin, dhe luteshin të kenë jetë të gjatë, fuqi, shëndet,  të gjenin sherim,  duke besuar kështu  në forcën e tyre të mbinatyrshme.

Unë nuk do të ndalem të shtjelloj këto objekte, kulte, besime e dukuri, nuk është as fusha ime,  por shkurtimisht kam dëshirë të sjell për lexuesin  një përshkrim historik të ilustruar me foto  të një vendi të tillë ku kryheshin dhe akoma vazhdojnë të kryhen ( ndonëse  më rrallë ) rituale të tilla besimi, e pikërisht tek një shkëmb, me një formë gdhendje natyrale të mrekullueshme, i cili mua më ngjan në formë si kokë elefanti gjigande:)

Ky shkëmb quhet : “ Kërshi* Përbirues",  i cili  gjendet në një nga perlat e trojeve shqiptare, në bjeshkën më të mirë dhe më në zë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) , Sylbicë, Sylbicën e Bytyçit, e cilësuar gjithashtu si një nga bjeshkët më të bukura në Ballkan., dhe saktësisht  në shpat    Gusanit, poshtë Podit të Gjollëve, sipër staneve të  Tellës  së Vladit.

Nëpërmjet asaj pjese të shkëmbit , perbirohet, apo depertohet duke iu sijellur për rreth  kesaj vrime, apo kesaj vege të shkëmbit, duke depertuar keshtu në trupin e shkëmbit.

Rreth histories së “ Kërshit Përbirues”, si gojdhënë, fillimisht kam dëgjuar nga Lokja, gjyshja ime, nëna e babit tim, (Pastë dritë shpirti i saj ) e cila na tregonte se si  heret të parët tanë tek ky shkëmb kishin parë dritë gjatë natës, madje dhe sot thuhet se natën aty ndriçojnë ca drita te zbehta , (mbase mund të jetë lloji i gurit shkëmbor) , nga ku njerëzit filluan të besonin se aty kishte diçka të mbinatyrshme, hyjnore,  duke filluar kështu një ritual besimi .... Bjeshkëtaret vendas, por edhe nga të gjitha bjeshkët e Tropojës dhe të Kosovës përreth bjeshkës së Sylbices...  Pojana, Rreshkëza, Përbuja, Korita, Dobërdoli, Brovina, dhe jo vetem nga bjeshkët, kushdo që kishte dëgjuar për këtë shkëmb përbirues dhe vetitë e tij, vinin nga larg,  në grupe apo individualisht , njerëz që besonin në mrekullinë sheruese të tij. . Kryesisht nënat, familjarë që sillnin fëmijet e tyre, të cilët ishin sëmurë nga temperatura e lartë, fëmijet që ishin të vonuar në të folur apo në të ecur dhe  çrregullime të tjera shëndetësore. Shkonin edhe të rriturit për problemet e tyre, apo edhe thjeshtë për mbarësi.

Tek Perbirojsa, hynin e dilnin tre herë duke u sijellur asaj pjese të shkëmbit, e duke bërë lutjet e tyre më zë apo jo …  Në zgavrat e shkëmbit diku aty pranë, linin bukë e djathë, ose ndonjë monedhë metalike ... Më pas ose shkonin e pushonin pak tek ndonjë stan , ose pushoni afër ndonjë burimi, e më pas largoheshin për në bjeshkën e tyre.

Rreth historise së këtij shkëmbi , kam pyetur disa persona të moshuara gjatë këtyre ditëve, dhe pak a shumë kishin këtë version të të rrëfyerit.

Synimi i këtij shkrimi nuk është aspak që  të nxis njerëz që ta vizitojnë Shkëmbin Përbirues , për veti të tilla kuruese, kjo mbetet në besimin dhe dëshiren e secilit… qellimi i shkrimit ishte që ta sillja këtë histori të shkruar në shenjë trshëgimie, si rrëfenjë dhe traditë e vjetër.  Gjithashtu edhe për të sjellë nëpërmjet fotove një formë të tillë shkëmbore , për adhuruesit e natyrës, adhuruesit e të bukurës.

Tashmë unë jam e bindur, që përveç gjithë mrekullive të pafundme të Bjeshkës së Sylbices, vizitorët do fillojë të kërkojnë e ta preferojnë edhe Kërshin Përbirues.




 










Realizoj: Xhane Imeraj

Tiranë , 20 Korrik 2021

• Foto të porositura nga autoria e shkrimit, enkas për këtë shkrim, dhe të realizuar vërtet bukur , nga bytyçasi, Erzen Rexha
_________
*gërxh, shkëmb
 

Monday, June 14, 2021

Vraponi pas natyrës, dhe do shikoni sesi ajo do vijë pas jush shend e verë.

 

Shishtavec, Kukës

 

“ Ai që ka dy bukë të ëmbla ,

le ta shesin njerën prej tyre për disa lule Narcist,

sepse buka është ushqim për trupin,

por Narcist është ushqim i shpirtit “. ~ (P.M)

 

Një udhëtim vërtet shumë i bukur,  mes Shishtavec, Kukës, nën shoqërimin e organizatorëve të kësaj guide Udhërrëfyesit turistik Kombëtar , Menduh Zavalani, dhe specialistit të florës,  Inxh. Abdulla Diku.

Natyra shqiptare është një bekim.Të pafundme dhe tejet të mrekullueshme viset e saj. Një të tillë mrekulli  e gjetem edhe në Shishtavec,  me pafund  peizazhe mahnitëse, me dëborë të pashkrirë në plis të maleve të larta, e njëkohësisht, bimësia ishte xhungël e vërtet pranverore,  pafundësi bimësh dhe lulesh,  dhe masive pyjore kryesisht ato me mështekën dhe pishë, si  dhe një ndër më specialet në këtë periudhe,  lëndinat me  lule zambaku, zambakun e poetit. Zambaku i poetit (Narcissus poeticus) , për  të cilë na foli me njohuri të thelluara specialisti i florës z. Abdulla Diku, duke na sjellur informacion  jo  vetëm botanike. Na foli rreth rëndesisë së saj mjekësore në kohë të hershme,  dhe në veçanti përdorimi në industrinë e parfumërisë, vaji i të cilit përdoret si përbërës kryesor në shumë parfume të njohura. Gjithashtu na foli edhe  për legjendën e famshme  Greke të Narcisit… pse quhej kjo lule kështu,  si dhe legjendën shqiptare rreth kësaj luleje, e plot informacione të tjera. Inxh. Abdulla Diku, tashmë si i fushës, njihet si një promovues profesionist i natyrës Shqiptare, qoftë nëpërmjet postimeve të tij të shumta në rrjetet sociale, foto dhe video  bashkangjitur dhe me mjaftë informacion të detajuara, ku jo pak miq dhe ndjekës të tij janë përfshirë të mrekulluar pas natyrës së bukur të ekspozuar në fotot e bukura të realizuara nga vetë ai.  Duke zgjuar kështu tek shumë njerëz dëshirën e  e bukur të udhëtimeve, pse jo të një lloj turizmi risi për vendin tonë , atë të "Turizmit të luleve", një turizëm ky elitar në mjaft vende të botës, që fare mirë mund të zhvillohet edhe në vendin tonë, ku sipas studiuesve, në Shqipëri rriten rreth 47% e llojeve të bimëve të Ballkanit dhe 30% e llojeve të bimëve të Evropës.  Dhe pikërisht, nëpërmjet ndihmës së studiuesve dhe specialistëve të florës, mund të realizohet një turizëm sa i shëndetshëm, estetik, edukativ dhe kulturor, i cili rrjedhimisht do të sjellë edhe rritje të aktiviteteve  ekonomike, vende të reja punë etj. E mbi të gjitha do sillte një lloj tjetër promovimi të vendi tonë.

Udhëtimi ynë të shtunën, 12 qershor 2021 në Shishtavec , mund të them se ishte një turizem i tillë. Përveç grupit tonë, aty gjetem edhe të tjerë vizitor dhe adhurues të  Narcistit, Zambakut të poetit … të gjithë u zhytem nën petalet borë të baradha të zambakut dhe aromen e saj të mrekullueshme, në ato pllaja që dukeshin sikur nuk kishin fund. Të rrethuara dhe nga malet plot pemë dhe  gjelbërim, me pezazhe mahnitëse, dukej vërtet si një parajsë.  Për ajrin, oksigjenin në atë vend, frymëmarrjen që nuk e dije në e merrje apo vetë depërtonte tejpërtej mushkërive dhe çdo qelizë të trupit, duke të rigjeneruar dhe lehtësuar , dalngadalë duke u bërë një me natyren dhe rrjedhen e saj.

Nuk mungoi as libri, poezia, piktura (amatore), dhe duke qenë në habitatin e zambakut të poetit...  " ti Xhane, je në habitatin tënd .." filluan bashkëudhëtarët të më thonin me vlerësim dhe dashamirësi menjëherë sapo e mësuan se unë jam poete, duke i bashkangjitur edhe dëshirën që unë t`ju lexoja disa poezi nga libri im, të cilin e kisha natyrisht me vete. Në pak minuta u krijua  një atmosferë tepër e bukur nën  interpretimit e poezive, në një vend të tillë përrallorë, dhe përpara disa personave të mrekullueshëm, që dinë t`i japin vlera të çmueshme minutës, momentit, dashamirës të së bukurës, natyrës, artit dhe letërsisë, që më falenderuan dhe më duartrokiten me sinqeritet dhe ngrohtësi për kënaqësinë që ju dhurova, ku paralel isha unë ajo që i falenderova dhe doja t`i falenderoja pafund , për çastet magjike e të paharrueshme që përjetova përball tyre. Kaq pak dhe shumë kërkon një poet, një shpirt poetik !

Gjatë gjithë udhëtimit, përveç panoramës së mrekullueshme që ofronte natyra, ishte udhërrëfyesi mjaft i përgatitur z. Zavalani që e pasuroi gjithashtu  këtë udhëtim me  plot informacione  historike, gjeografike, demografike dhe kulturore të zonës për ku ishim nisur dhe mbërritëm.

Të tilla udhëtime përveçse mjaft të shëndetshme , janë dhe shumë informuese dhe të domosdoshme për njohjen dhe vlersimin edhe më të madh të asaj çfare kjo mrekulli që quhet SHQIPËRI, dhe kudo viseve të atdheut tonë, na ofron.

Filloni të planifikoni dhe të bëni udhëtime të tilla, nën gudien e turizmit të luleve, sepse duke udhëtuar pas luleve dhe habitatit të tyre do ju befasojë dhe do ju mrekullojë natyra me bukuritë e saj, në ato vendet e saj më pak të shetitura dhe të vëna re nga ky këndvështrim, nga turizmi i zakonshëm.

Vraponi pas natyrës, dhe do shikoni sesi ajo do vijë pas jush shend e verë.







Xhane Imeraj

Tiranë, 14. 06. 2021


Thursday, April 8, 2021

ANILA …



… sa janë të vogla, fëmije , duken lozonjare, të qeshura, përkëdhelëse, të bukura, të ëmbla , shejtane, të djallëzuara, si magjistare të vogla … Nuk e di por janë të adhurueshme për mënyren e tyre sesi ato shprehin me tërë qenjen e tyre jetë të gjallë, gjallëri sfiduese ndaj klimes, ndaj fatit, ndaj ashpersise gjinore, racore, mohimeve , pamundesive, athua se kanë zbritur nga një tjetër planet , për të jetuar ca ditë këtu, ca ditë atje , as shtëpi as çati, shpeshherë edhe të parregjistruara , thjeshte ato dhe emrat e tyre të bukur. 

… ato ngjajnë si ato lulet që guxojnë të lulëzojnë dhe të rriten ashpërsive… Jeta e tyre është një luftë, një luftë e dhimbshme… luftë për mbijetesë, që nuk din ku të gjejë preh as paqe .

Në jetë nuk më ka renë rasti të kem komshinjë ndonjë familje romesh dhe as ndonjë komunikim shoqëror me ndonjë prej tyre që të arrij t`i njoh nga afër … Por që, patjeter i kam parë nga larg lagjet ku ata banojnë , çadrat, ato shtëpitë e arnuara , oborret , rrethinat e tyre, fëmijet dhe ata vetë në rrugë, treg apo në ndonjë vend publik.

Shpeshherë, shpirtërisht nuk jam ndjerë mirë teksa mendoj jetesen e tyre sidomos këtu në Shqipëri, teksa kam pare varfërinë e tyre të skajshme, apo menyra sesi trajtohen qoftë dhe brenda komunitetit të tyre por jo vetem aty, sidomos grate , vajzat, fëmijet …

Vite më pare kam njohur një infermiere rome, e cila quhej Anila. Ajo ishte diku rreth të tridhjetave ndoshta pak më e madhe … Ishte simpatke, mund të them edhe e bukur, por këtë bukuri e kishte disi të vrarë, pasi asaj nuk i qeshte fytyra, nuk i qeshnin sytë, nuk i qeshte buza… Mbaj mend , pasi nuk është se jam interesuar të mosoj për jeten e saj , nuk kisha arsyje të interesohesha… por, si padashje mbaj mend të kem dëgjuar se ajo më pare kishte studiuar për mjeksi , që më vonë të bëhej mjeke , por që nuk kishte arritur të diplomohej si mjeke, edhe pas shumë provimeve që kishte dhënë, e kjo siç thuhej për shkak të prejardhjes së saj, paragjykim , racizëm ….

Si infermere ishte e mrekullueshem ,kishte nga ata pacient që nuk e pranonin , por kishte edhe nga ata pacient që shikonin me padurim nëse kishte ardhur Anila apo jo, një prej të cilëve isha unë  . Ajo ishte shumë e mire , e aftë dhe e bindëse në dhenjen e këshillave mjekësore për ata që e pranon dhe nuk e paragjykonin, thjeshtë dhe vetem se ishte rome … Mbaj mend se bisedoja ndonjeherë me të , dhe ishte aq e qetë, me një zë të butë dhe e embel , si padashje ajo çelej me mua , qeshte që nga larg kur më shikonte që po e prisja , doren e saj të lehtë si pupël në të bërit e gjilpërës dhe “kurimin” e saj psikologji teksa më fliste si shoqe , mike, mjeke, informer por mbi të gjitha njerëzore e thjeshtë.

Kisha kohë, mbase 3-4 vite që nuk e kisha parë, nuk e kisha takuar... Një ditë rastësisht , e takoj në një autobus të tej mbushur … dhe teksa e pash i ndriti fytyra si diell edhe mua gjithashtu, pasi arritem të kalonim njerëzit që kishim ndërmjet, u takuam dhe u përqafuam si dy mike të dashura…. Mua as që më binte përshtypje madje e kasha harruar se ajo ishte rome, madje atë ditë ishte veshur pothuajse me ato fustanet karakteristike të tyre , plot lule dhe ngjyra … Ne filluam të flisnim dhe të qeshnim papushuar, aq ëmbël aq bukur … duke mos e pasur mendjen fare tek të tjeret, papritur vumë re , që pjesa më e madhe e pasagjerëve që kishim përreth në autobus kishin rënë në një lloj qetësije të përzier me pëshpëritje …dhe me disa vështrime jo aq të pranueshme , disi përbuzëse, më shumë kundrejt meje ... “ çdo kjo , që përqafohej me një rome” … Anila e kuptoji situaten , për të nuk ishte hera e pare që ndodhej në diskriminim apo racizma të tille , dhe më tha… “…Xhane , më vjen keq që gjendesh në këtë situate për shkakun tim…” , unë qesha , e përqafova dhe njëherë dhe i thash : “ Mua do më vinte keq mos të të takoja ty … më kishte marr malli …

Dhe vërtet më kishte marr malli , mbase jo thjeshtë vetem për Anilen e dashur, por, më kishte marr malli për atë lloj njeriu . atë lloj dashuri të druajtur por aq njerëzore.

Dhe në këto moment që po shkruaj më erdhi ndërmen një thenjë e Shenjtores NËNË TEREZA:
“ Po të rrimë duke i gjykuar njerëzit , nuk do kemi kohë t`i duam”

Unë nuk kisha kohë ta paragjykoja Anilen, kisha kohë vetem ta doja , ta respektoja si çdo njeri tjeter. Ajo ishte si unë, unë isha si ajo …NJERI .

Do të doja të bëhet më shumë për këtë komunitet, jeta e tyre të përmirësohet në të gjitha drejtimet, dhe të jenë më të pranueshem në gjirin e shoqërisë tonë.


Tiranë
8 Prill 2021  /  - Dita Ndërkombëtare e Romëve

• Foto pikture (Web)

Tuesday, January 19, 2021

UDHA E QUMËSHTIT

 Nga: Xhane Sherif Imeraj


Sapo mbarova së lexuari vëllimin me tregime të shkurtra, me titull: “Udha e Qumështit”, të poetit, shkrimtarit, tenorit të njohur z. Agim Hushi.
Ishte një libër që po e prisja me një lloj dëshire dhe kurioziteti njëkohësisht, pasi autorin e kisha lexuar në rrjetet sociale në poezi por jo në prozë dhe nisur nga kjo kisha një lloj pritshmërie ndaj këtij libri.Ky libër po na vinte nga një tenor i famshëm, artist i madh dhe patjetër që pritshmëria ishte e kalibrit të tij, me dëshirën dhe kuriozitetin nëse ka arritur vërtet ta latojë edhe fjalën e shkruar si fjalët dhe tingujt në zërin e tij të mrekullueshëm.
Librin e lexova brenda pak ditëve , pasi asnjëherë librat me tregime të shkurtëra nuk dua t`i lexoj brenda pak orëve apo brenda dite, pasi kam dëshirë t`ju jap kohë ndjesive të përftuara nga çdo tregim. Brenda librit gjeta një numër jo të vogël tregimesh, me tematika të larmishme, personazhe interesante, gjeografi të gjërë vendesh,kulturash, histori dhe ngjarje të ndërtuara me një arkitekturë të kthjellët mendimi nëpërmjet një fjalori të thjeshtë dhe të pasur njëkohësisht.
Një vepër e realizuar vërtet mirë, që arriti të më dhurojë shumë brenda kohës që i kushtova, një “shpërblim” ky i vlertë mes autorit dhe lexuesit, që fatkeqësisht rrallëherë po e përftojmë një gjë të tillë këto vitet e fundit edhe pse të zhytur në morinë e librave, autorëve dhe botimeve në seri.
Nga libri:
“ - Deshi t`i thoshte se pulëbardha u vra atë ditë siç mund të vritej dhe ai nga një plumb, se ajo vdiq në duart e tij krejt e pafajshme dhe shpirti i saj rreh akoma me valet e detit aty në breg, duke pritur përjetësisht të dashurën e tij.”
“ – Kështu është kur ia hedh vdekjes, -mendoi. – Të dhembin plagët dhe përpiqesh të jetosh sa më gjatë, qoftë dhe me dhimbje.”
Dua ta përgëzoj poetin, shkrimtarin tenorin e famshëm Agim Hushi (Artist i Madh), për këtë vepër të gdhendur lart nga pena e tij krijuese, duke sjellur letërsi në duart e lexuesve dhe vlerë në "bibliotekën" e letërsisë shqipe.
Tiranë
19 janar 2021

Thursday, January 14, 2021

SKEPTRI I PUSHTETIT TË DIJES

 RECENSION RRETH LIBRIT ”LILI DHE VARËSJA E SIRENËS” TE AUTORES ALEKSANDRA PANO

Nga : Xhane IMERAJ

1.
Nëpërmjet aktiviteteve, rrjeteve sociale, apo hapësirës së `cukëlt` mediative, përveç bla -bla-blave të llafologjisë politike, analistike, gjithfarëllojistike... kemi fatin ndonjëherë mes gjithë kësaj tymnaje të dëgjojmë, shikojmë dhe lexojmë edhe për ndonjë të re në art, letërsi, sport apo arritje të tjera të cilat na pasurojnë duke na dhuruar gjendje të mirë shpirtërore, shpresë dhe pritshmëri se mbase vërtet nesër… "do të bëhet më mirë".

Ishte emisioni “Mirëmëngjes Shqipëri” në “RTSH” prill 2020, ‘Sirena e vogël’ që ka lexuar 180 libra “, i cili më tërhoqi vëmendjen, teksa e dëgjova dhe pashë që vajza dymbëdhjetë vjeçare nga Tirana, Aleksandra Pano, që ishte e ftuar në këtë emision, jo vetëm që kishte lexuar rreth 180-të libra, dhe fliste me aq pasion dhe kujtesë të detajuar dhe përvetësim të admirueshëm të asaj çfarë kishte lexuar, por ajo tashmë edhe kishte botuar librin e saj të parë, dhe pikërisht një roman të titulluar “ Lili dhe varësja e sirenës”.

Një libër ky, që m`u imponua edhe më shumë, (në kuptim të mirë të fjalës), nga ajo çfarë autoja përçoi gjatë këtij emisioni me çiltërsinë, oratorinë dhe aftësinë e saj, si një vjazë mendje hapur, shëmbull për tu ndjekur nga moshataret e saj, të rinjtë. Unë e mora librin, me dëshirën për t`ia dhuruar mbesës time 13- vjeçare, ndonëse pasi e lexova, nuk mund të mos e dëshiroja për bibliotekën time, por nuk hoqa dorë nga dhurata, duke menduar menjëherë për të marr edhe një tjetër libër si ky, për t`ia dhuruar mbesës, pasi tashmë jam e bindur se do i dhuroj vërtet një dhuratë shumë të çmuar siç është libri, por në veçanti edhe sepse do i dhuroj një libër të realizuar në mënyrë kaq të arrirë nga një moshatraja e saj.

2.

Autoja e romanit me titull: “Lili dhe varësja e sirenës”, Aleksandra Pano, ka lindur më 10 janar 2008, në Tiranë. Ajo është nxënëse në shkollën “Lidhja e Prizrenit”. Pasioni për të shkruar i ka lindur natyrshëm, pasi ajo është një lexuese e zellshme e letërsisë për fëmijë por edhe të rritur, duke filluar kështu me dedikime të bukura dhe të ngrohta në prozë për familjarët e saj, mamin, babin, vëllain e saj të vogël, etj. Ajo tregon gjithashtu, se ka shkruar edhe poezi, duke rimuar dhe vënë në dukje ndjesitë e bukura fëminore, fantazinë dhe shpirtin e pasur prej artistje.

E rritur në një familje artistësh, të cilët kanë ditur ta motivojnë dhe ta ushqejnë me dashurinë për librin dhe botën e mrekullueshme të leximit. Pa harruar shkollën dhe aktivitetet shkollore ku ka gjetur horizontet e dijes dhe shtysen drejt tyre. Në moshë fare të vogël, vetem dhjetë vjeçe, ajo pati frymëzimin dhe dëshirën që të ulet dhe të shkruaj; dhe më e rëndësishmja, të arrijë të fantazojë dhe të formulojë një roman duke renditur ngjarjet në një rrjedhë të kthjellët pa teprica fjalësh, të përmbledhur dhe të pasur njëkohësisht. E më pas të mësonte të shkruante në kompjuter, në `word`, të hidhte dorëshkrimin aty, që dalëngadalë libri të formësohej dhe të arrinte të rrëfente për Aleksandren dhe fantazinë e saj në duart e lexuesve. 
Duke arritur kështu hap pas hapi, të botohej në shkurt të vitit 2020-të.

3.
“ Me urdhër të Poseidonit dhe lavdisë së tij, unë, Mbrojtësja e Princeshës Laguna, zotohem se do t`i mund Sirenat e Errësirës.”

Një zotim që bëhet nën një urdhër..!

Po a do mund të zbatohet urdhëri i Poseidonit sunduesit suprem të perandorisë së madhe detare? A do përmbushet zotimi nga Mbrojtësja e Princeshës Laguna? Ku zhvillohen ngjarjet? Kur? Kush janë personazhet kryesore? Kush është Lili? Ç`është kjo hajmali magjike…?

Ngjarjet zhvillohen në stinën e pranverës, në bregdetin e Sarandës. Aty personazhet (disa prej tyre) shkojnë kur kanë kohë pasi ata janë edhe në shkollë … Personazhet kryesore janë Lili dhe miqtë e saj Roksi, Moni, Oskari dhe Xhoi, të cilët janë adoleshent rreth moshës 15-vjeçare, si dhe plot personazhe pozitive dhe negative nga mitologjia e lashtë, të cilët akoma vazhdojnë misteret dhe fuqitë e tyre prej zotash…

Lili dhe miqtë e saj, një ditë krejt papritur gjetën në bregdet një varëse në dukje e zakonshme, por që rezultoi të ishte një hajmali misterioze dhe me aftësi magjike…

Autorja me penën e saj fëminore , ka kombinuar bukur kohën e hershme me të tashmën, vendet e lashta ku ekzistojnë ende edhe sot, duke mbartur histori botërore të përmendura edhe nga klasikët, elementet mitik të veshur me fuqitë të mbinatyrshme… kalon nga pergameni tek portali kompjuterik, hidhet më pas nga drejtoresha e shkollës, tek Troni, ndjellësi i së keqës, i lëvizë personazhet me makinën e kohës, ku për 30` i kthen pas 300-vjet në kohë , dhe të nesërmen përsëri i dërgon në shkollë, si njerëz të zakonshem. Sjell personazhe si Poseidoin, Princesh Laguna, që djemt u mrekulluan sa e panë, ndërsa vajazat u xhelozuan disi… Postierin e Heshtur që ishte në anën e sirenave të errësirës dhe që sillte lajme aq të këqija, saqë dhe korbat e mbyllnin sqepin nga frika… Sfinksi, gurët magjikë dhe vendet ku ata ndodhen, betejat dhe strategjitë e shumta nënujore e tokësore… etj.
Fiksion, aventurë dhe fantazi të ndërtuara në mënyrë mjaft tërheqës.

4.
Romani " Lili dhe varësja e sirenës", shtrihet në 64-faqe, të ndara në 28-të kapituj. Një libër i vogël, por që kapërcen kopërtinen e tij. Më befasoj kur e lexova, aq sa harrova për një moment që po lexoja një autore aq të vogël, teksa humbisja në kompaktësinë e ngjarjeve. Duke sjellë kështu një libër interesant dhe me vlera, si rezultat i talentin dhe njohurive të akumuluara nga lexueshmëria e admirueshme për moshën e saj, ku librat e lexuar gjer më tani kalojnë mbi 180-të.

Ngjarjet nuk ishte e nevoshme që t`i shtjelloja shumë, pasi autorja e ka sjellur librin vërtet mjaftë të qartë për fëmijët. Thjeshtë një këshillë për lexuesit e vegjël, por edhe për prinderit që do i shoqërojnë gjatë leximit - që kryesisht emrat e miteve, të mos i kalojnë thjeshtë si emra, si personazhe pozitiv apo negativ, por të rikujtojnë apo të lexojnë pak rreth tyre, pas ato nuk janë thjeshtë emra, por mbartin histori në vetvete, të ndërlidhur ndermjet tyre si heret në kohën klasike edhe tani në kohën e romanit të Aleksandres.

Rishikim i një libri, zakonisht përfundon duke dhënë rekomandime, sugjerime dhe shtysë lexuesve për ta lexuar librin, por me besoni , nuk do e beja një gjë të tillë nëse vërtet nuk do vëreja aftësitë e zhvilluara në të shkruar dhe të shprehur të autorës dhe lartësinë e romanit të saj.

Në këtë roman unë arrij të shoh shkëndijat e një shkrimtarje të madhe në të ardhmen, si një vlerë e shtuar që tani në letërsinë shqipe.

Ju ftoj të gjithëve ta bëni pjesë të bibliotekës tuaj këtë libër të realizuar me kaq botë dhe fantazi nga autorja e vogël Aleksandra Pano, në veçanti t`ua dhuroni fëmijëve si një dhuratë vërtet të çmuar.

“Ka shumë mënyra të vogla për të zgjeruar botën tënde.
Dashuria për librat është më e mira nga të gjitha. ” ~ Jacqueline Kennedy

Urime dhe suksese Aleksanda!
- Ishte kënaqësi për mua të shkruaja rreth librit tënd të parë, e bindur që do të keni vazhdimësinë e krijimtarisë së begatë dhe penës së ndritur.

Tiranë
10 Janar 2021




Botuar ne: 

• VOAL - 14 janar 2021 

https://www.voal.ch/skeptri-i-pushtetit-te-dijes-recension-rreth-librit-lili-dhe-varesja-e-sirenes-te-autores-aleksandra-pano-nga-xhane-imeraj/ 


• Në Suplementin Letrar javor në gazetën "MAPO" , 23 janar 2021