Tuesday, July 20, 2021

Përbirojsa ose Kërshi Përbirues , Sylbicë

 

Që heret njerëzimi  ka shfaqur nevojën e besimit,  besimeve në njerëz, objekte apo dukuri të ndryshme që kanë arrdhur gjer në ditetët e sotme  si besime të thella  shpirterore,    forca të mbinatyrshme. (...pa përmendur dhe kaluar më pas në besimet e devotshme në fe të ndryshme) .


Si në shumë popuj të botës edhe tek ne shqiptaret ka qënë i pranishem  ky lloj besimi, pagan… Ku njerëzit nga dëshira, nevoja apo frika ,duke ardhur si faktor të mbinatyrshem , apo dhe si imponime të vetvetës, kanë ngritur besime dhe  kulte të ndryshme duke e  përcjelle më pas tek njeri-tjetri, si besimin tek dijetaret, njerëzit e mirë, në zana, orë, vampirë, lugetër, drangojë, kuçedra, ujra, shpella, shkembinjë, gur, pemë, kafshë, dukuri natyrore, hëna, dielli, oret e muzgut, oret e agut, pika e ditës, varre, nga ku besonin, dhe luteshin të kenë jetë të gjatë, fuqi, shëndet,  të gjenin sherim,  duke besuar kështu  në forcën e tyre të mbinatyrshme.

Unë nuk do të ndalem të shtjelloj këto objekte, kulte, besime e dukuri, nuk është as fusha ime,  por shkurtimisht kam dëshirë të sjell për lexuesin  një përshkrim historik të ilustruar me foto  të një vendi të tillë ku kryheshin dhe akoma vazhdojnë të kryhen ( ndonëse  më rrallë ) rituale të tilla besimi, e pikërisht tek një shkëmb, me një formë gdhendje natyrale të mrekullueshme, i cili mua më ngjan në formë si kokë elefanti gjigande:)

Ky shkëmb quhet : “ Kërshi* Përbirues",  i cili  gjendet në një nga perlat e trojeve shqiptare, në bjeshkën më të mirë dhe më në zë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) , Sylbicë, Sylbicën e Bytyçit, e cilësuar gjithashtu si një nga bjeshkët më të bukura në Ballkan., dhe saktësisht  në shpat    Gusanit, poshtë Podit të Gjollëve, sipër staneve të  Tellës  së Vladit.

Nëpërmjet asaj pjese të shkëmbit , perbirohet, apo depertohet duke iu sijellur për rreth  kesaj vrime, apo kesaj vege të shkëmbit, duke depertuar keshtu në trupin e shkëmbit.

Rreth histories së “ Kërshit Përbirues”, si gojdhënë, fillimisht kam dëgjuar nga Lokja, gjyshja ime, nëna e babit tim, (Pastë dritë shpirti i saj ) e cila na tregonte se si  heret të parët tanë tek ky shkëmb kishin parë dritë gjatë natës, madje dhe sot thuhet se natën aty ndriçojnë ca drita te zbehta , (mbase mund të jetë lloji i gurit shkëmbor) , nga ku njerëzit filluan të besonin se aty kishte diçka të mbinatyrshme, hyjnore,  duke filluar kështu një ritual besimi .... Bjeshkëtaret vendas, por edhe nga të gjitha bjeshkët e Tropojës dhe të Kosovës përreth bjeshkës së Sylbices...  Pojana, Rreshkëza, Përbuja, Korita, Dobërdoli, Brovina, dhe jo vetem nga bjeshkët, kushdo që kishte dëgjuar për këtë shkëmb përbirues dhe vetitë e tij, vinin nga larg,  në grupe apo individualisht , njerëz që besonin në mrekullinë sheruese të tij. . Kryesisht nënat, familjarë që sillnin fëmijet e tyre, të cilët ishin sëmurë nga temperatura e lartë, fëmijet që ishin të vonuar në të folur apo në të ecur dhe  çrregullime të tjera shëndetësore. Shkonin edhe të rriturit për problemet e tyre, apo edhe thjeshtë për mbarësi.

Tek Perbirojsa, hynin e dilnin tre herë duke u sijellur asaj pjese të shkëmbit, e duke bërë lutjet e tyre më zë apo jo …  Në zgavrat e shkëmbit diku aty pranë, linin bukë e djathë, ose ndonjë monedhë metalike ... Më pas ose shkonin e pushonin pak tek ndonjë stan , ose pushoni afër ndonjë burimi, e më pas largoheshin për në bjeshkën e tyre.

Rreth historise së këtij shkëmbi , kam pyetur disa persona të moshuara gjatë këtyre ditëve, dhe pak a shumë kishin këtë version të të rrëfyerit.

Synimi i këtij shkrimi nuk është aspak që  të nxis njerëz që ta vizitojnë Shkëmbin Përbirues , për veti të tilla kuruese, kjo mbetet në besimin dhe dëshiren e secilit… qellimi i shkrimit ishte që ta sillja këtë histori të shkruar në shenjë trshëgimie, si rrëfenjë dhe traditë e vjetër.  Gjithashtu edhe për të sjellë nëpërmjet fotove një formë të tillë shkëmbore , për adhuruesit e natyrës, adhuruesit e të bukurës.

Tashmë unë jam e bindur, që përveç gjithë mrekullive të pafundme të Bjeshkës së Sylbices, vizitorët do fillojë të kërkojnë e ta preferojnë edhe Kërshin Përbirues.




 










Realizoj: Xhane Imeraj

Tiranë , 20 Korrik 2021

• Foto të porositura nga autoria e shkrimit, enkas për këtë shkrim, dhe të realizuar vërtet bukur , nga bytyçasi, Erzen Rexha
_________
*gërxh, shkëmb