Friday, August 25, 2023

DITA E RROBAVE TË PËRDORURA / RROBAVE TË DORËS SË DYTË

“Mos i shiko gunën, por shikoji punën" 🙂 - e megjithatë, edhe guna ka rëndësinë e saj, ajo flet e shpreh shumë për ne.
Sot rastësisht vura re në rrjet, se data 25 gusht qënka Dita Kombëtare e Garderobës së Përdorur, ndryshe, Dita Kombëtare e Veshjeve të Dorës së Dytë , kjo për shumë vende të botës, mbase kudo …
Edhe pse nuk e kemi ditur si datë… kemi që me ardhjen e demokracisë në vendin tonë që e kemi “festuar” më së shumti të detyruar nga gjendja e dobët ekonomike, apo edhe për gjetjen e rrobave firmato në kosto të lirë , etj. Dhurimi i rrobave, shkëmbimi apo dhe marrja hua, ka qenë dhe më përpara, mbase në çdo kohë.
Gjyshet e mia të paharruara na tregonin, se herët në vitet e skamjes së madhe kur jeta kërcënohej nga uria , edhe teshat/rrobat ishin të pakta, laj- thaj një palë rroba , edhe ato të rame/vjetëruara, të shlyera/zbehura, të shkyme/grisura, e të harrnuara/arnuara … aq sa ‘ harrni –harrnin nuk e mbante…” As penjë nuk kishish aq sa na nevoitej që t`i harrnonim, por përdornim fije floku, ose kime/qime nga jela dhe bishti i kalit, ndonjë fije bari që nuk këputej lehtê, rrenjë apo levore të veçanta nga drurët apo pemët e ndryshme…
Herët gjyshet dhe nënat tona bënin me duart e tyre çdo veshje të familjarëve të mëdhenjë e të vegjël. Ato bënin në vekë e thurnin me shtiza, të linjta e të leshta , guna, zhguna, tierq të bardhë e tierq galana, me lesh dhënsh e dhish/t`dhinta… bënin shtrojë e mbulojë, qilime, sexhade, cerga, dyshekë, jastëk, jorganë, triko, çorape, doreza, kapuç, shallë, mnelat e djepit/ fëmijeve të vegjël etj. Sapo e falte Zoti fëmijën / lindte , e lëshonin në bashkë të delmes, ose postagji/post, postiqe dhënsh ose dhishë.. e thotë edhe shprehja që disa të moshuar e përdorin edhe sot: “ Që kur m`ka bâ / lindur Nâna e kam ra në bashkë të delmes / deles …. “.
Rroba këto që nuk bliheshin në dyqane, por padiskutim ishin shumë të çmueshme, të bëra me dashuri dhe mjeshtëri nga gjyshet dhe nënat tona. Rroba të çmueshme dhe shumë të çmueshme se ishin bio, të realizuara me lëndë natyrale, të ngrohta dhe të shëndetshme për trupin e njeriut.
Sot blerja e rrobave të përdorura , apo thënë më këndshëm, rrobave të dorës së dytë , është një treg alternativë, ku favorizon blerësit e kategorive të ndryshme, jo vetëm të atyre me të ardhura të pakta, por edhe të atyre që duan të kursejnë sa më shumë, ata të cilët kërkojnë marka apo firma të ndryshme që nuk gjenden në dyqanet tona ose gjenden me çmime shumë të larta etj.
Arsyet e lartpërmendura të detyrojnë në njëfarë mënyre të bëhesh blerës, klient i këtyre dyqaneve, dhe si në shumë vende të botës, një blerje e tillë në parametrat e duhura nuk ka asgjë të keqe. Gjithmonë duke e ditur se çfarë duhet dhe nuk duhet blerë në dyqanet me rroba të dorës së dytë. Si për shembull higjena nuk e këshillon blerjen e rrobave të brendshme të përdorura, apo rroba plazhi.. etj . Kur thuhet rroba të përdorura, nuk nënkupton rroba të vjetra, si dhe gjithmonë duhet të pastrohen e të lahen këto rroba përpara se t`i përdorni. Mbase edhe Institucionet përkatëse të higjenës dhe kujdesit shëndetësorë duhet të nderhyjnë tek ajo se çfarë duhet dhe nuk duhet shitur tek ky lloj tregu, si dhe t`ju kërkojë këtyre tregtarëve të afishojnë postera në ambjentet e tyre ku të shënohen këto rregulla dhe më shumë mbase, që çdo blerës t`i ketë parasyshë.
Sepse jo më kot një shprehje thotë: “ Nuk jam aq i pasur sa të blejë lirë” një blerje e tillë mund të na kushtojë më shtrenjtë.
25 gusht 2023