Tuesday, January 19, 2021

UDHA E QUMËSHTIT

 Nga: Xhane Sherif Imeraj


Sapo mbarova së lexuari vëllimin me tregime të shkurtra, me titull: “Udha e Qumështit”, të poetit, shkrimtarit, tenorit të njohur z. Agim Hushi.
Ishte një libër që po e prisja me një lloj dëshire dhe kurioziteti njëkohësisht, pasi autorin e kisha lexuar në rrjetet sociale në poezi por jo në prozë dhe nisur nga kjo kisha një lloj pritshmërie ndaj këtij libri.Ky libër po na vinte nga një tenor i famshëm, artist i madh dhe patjetër që pritshmëria ishte e kalibrit të tij, me dëshirën dhe kuriozitetin nëse ka arritur vërtet ta latojë edhe fjalën e shkruar si fjalët dhe tingujt në zërin e tij të mrekullueshëm.
Librin e lexova brenda pak ditëve , pasi asnjëherë librat me tregime të shkurtëra nuk dua t`i lexoj brenda pak orëve apo brenda dite, pasi kam dëshirë t`ju jap kohë ndjesive të përftuara nga çdo tregim. Brenda librit gjeta një numër jo të vogël tregimesh, me tematika të larmishme, personazhe interesante, gjeografi të gjërë vendesh,kulturash, histori dhe ngjarje të ndërtuara me një arkitekturë të kthjellët mendimi nëpërmjet një fjalori të thjeshtë dhe të pasur njëkohësisht.
Një vepër e realizuar vërtet mirë, që arriti të më dhurojë shumë brenda kohës që i kushtova, një “shpërblim” ky i vlertë mes autorit dhe lexuesit, që fatkeqësisht rrallëherë po e përftojmë një gjë të tillë këto vitet e fundit edhe pse të zhytur në morinë e librave, autorëve dhe botimeve në seri.
Nga libri:
“ - Deshi t`i thoshte se pulëbardha u vra atë ditë siç mund të vritej dhe ai nga një plumb, se ajo vdiq në duart e tij krejt e pafajshme dhe shpirti i saj rreh akoma me valet e detit aty në breg, duke pritur përjetësisht të dashurën e tij.”
“ – Kështu është kur ia hedh vdekjes, -mendoi. – Të dhembin plagët dhe përpiqesh të jetosh sa më gjatë, qoftë dhe me dhimbje.”
Dua ta përgëzoj poetin, shkrimtarin tenorin e famshëm Agim Hushi (Artist i Madh), për këtë vepër të gdhendur lart nga pena e tij krijuese, duke sjellur letërsi në duart e lexuesve dhe vlerë në "bibliotekën" e letërsisë shqipe.
Tiranë
19 janar 2021

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.