Thursday, November 22, 2018

Libri për fëmijët mbase duhet të jetë pak “naiv”, por jo më shumë se vet fëmijet!




RECENSION – nga Xhane Imeraj     


                    




“Bejeni të udhës, që kurrë të mos u dhuroni fëmijëve as edhe një libër pa e lexuar ju vet më parë ” Fituesi i Çmimit Nobel në letërsi (1925) George Bernard Shaw
… Ndaj kur shkruajmë për këtë moshë, duhet patjetër që shkruesi t’iu përshtatet lexuesve për të cilet shkruan, botës së tyre, thjeshtësisë së tyre , fjalorit të tyre të çilter dhe të bukur , edhe pse në zgjerim e sipër me fjalë të reja për ta, si dhe me avancimin e diturisë së tyre. Shkurtimisht mund të themi se autorët që marrin përsipër, apo më mirë të themi, dëshirojnë dhe frymëzohen për të shkruar për fëmijet , duhet të bëhen paksa fëmijë, të zbresin në naivitetin e tyre që vet mosha ua favorizon në përjudhen më të bukur të jetës, që të arrijnë vërtet të tërheqin vëmëndjen dhe lexueshmërinë e tyre, dhe brenda “zbritjes” së tyre normalisht të kenë edhe lartësinë e të shprehurit të vlerave, lartësinë e mendimit dhe të mesazhit që deshirojnë dhe duhet t’iu përcjellin , por pa ua vështirësuar lexueshmërinë dhe të kuptuarit, shkrimet e tyre të jenë  sa më të përceptueshëm që fëmijet të arrijnë të përvetësojnë ajken e mendimit që autori apo autorja po përpiqen t’iu servirin.
Siç nuk është e lehtë dhe duhet kujdes i vazhdueshëm për mirëushqyerien e fëmijëve me ushqime të shendetsheme dhe me plot vitamina jete , po ashtu, edhe të shkruash për fëmijet pra nuk është e lehtë dhe duhet përzgjedhur mirë edhe ky “ushqim” i mendjes së tyre. Do ishte më mirë që t’i lejojmë të bëjnë ndonjë lojë spontane brenda fantazisë së tyre përrallore, se sa t’iu marrësh kohë nga koha e tyre e artë , duke i dhënë në dorë libra të pa vlera , ku bien nën nivelin e fëmijes , apo ku libri  është aq i lartë sa që fëmija nuk e arrin dot. Dhe kryesisht fjalen e kam  per librat jashtëshkollorë, por pse jo edhe ata shkollorë, për të cilët me aq sa kam mundur të verej dhe të lexoj, lënë për të deshiruar shumë prej tyre, qoftë nga përmbajtja e shkrimit apo dhe materiali, cilsia e librit i cili me një të lexuar u shkërmoqet fëmijeve fletë – fletë në dorë. Kur shkruajm pra për këto krijesa të brishta dhe kaq të mrekullueshme, i tillë duhet të jetë edhe libri, i bukur, i çiltër, i dashur dhe me plot pozitivitete brenda, këshilla të ëmbla , lojë, humor, muza dhe fjalë të mirëshpjeguara, të mos mbajnë në brendësinë e tyre urrejtje, pikëllime, lot, të paktën jo në ngjyrat e tyre reale, por të përshkallëzuar gjer në atë masë , që nuk ndikon me tepri në emocionet e fëmijes.  Gjuhën shqipe e kemi të pasur, plot sinonime mund të përdorim për një fjalë që t`i japim trajtë sa më të përshtatshme për fëmijët, ngjyra sa më të qarta por edhe të lehta njëkohësisht, figracione etj, poeti ka një minjerë fjalësh të cilat mund t`i gdhëndë si askush tjetër, po ashtu edhe shkrimtari. Pra, sa më shumë shembuj të mirë, dashuri për jeten, për prinderit, famijlen, shkollen , shoqërinë, vendlindjen , atëdheun , botën, natyren,  artin , sportin, shkencen për çdo gjë që do i duhet realisht në jetë , dhe e gjithë kjo e sjellur sa më me estetikë, me figuracione të larmishme dhe të këndëshme, që fëmijët të rrembehen nga libri, e nga ana tjetër edhe ata ta rrëmbejnë librin brenda vetëvetë, brenda njohurive të tyre në rritje e sipër.
 Është bukur të shkruash për fëmijet, kaq bukur, është si të mbledhesh lule gjithë diten, ku asnjë lule nuk është njelloj me tjetrën , dhe në darkë të mbashë në duar buqeten më të bukur të thurur ndonjëherë.
Të nderuar prindër, dua t`iu drejtohem edhe ju, biles me lutje…  Kujdesuni për shëndetin e mendjes dhe intelektit të fëmijes tuaj , ushqejeni fëmijen tuaj me vlera, që nesër të shpalosin po të tilla vlera edhe më shumë,  për vete dhe të tjeret në të miren e përbashkët. Përzgjedheni literaturen që  u ofroni fëmijëve tuaj me një përkujdesje të veçantë, mos lejoni që fëmijet tuaj të keq ushqejnë mendjen e tyre të ndritur, sepse pikërisht ky lloj ushqimi do jetë pengesa më e madhe në jetën e tyre . Sot librat janë bërë lumë, por jo gjithë lumenjtë janë të kthjellët , dhe jo të gjithë sjellin prurje në detin e diturisë dhe të vlerave. Kritika e mirëfilltë duhet të luaj rolin e saj ashtu siç duhet, ajo duhet që t`i hedhë në “site të imët”  librat duke përzgjedhur  më të vlefshmit, më të realizuarit, letersinë e vërtet ,  me këtë veprim i kthejmë nderin edhe vet librit, respektojmë penen, autorin, lexuesin. Një thënje tjetër po nga George Bernard Shaw , thotë:
 “Kujdes nga dituria e devijuar sepse ajo është më e rrezikshme se padituria”.

Kisha kohë që doja të shkruaja në fakt në lidhje me sa më lartë , dhe do vazhdoj të shkruaj,  në të miren e brezit të sotëm që neser do jetë ardhmëria. E ndjejë edhe si detyrim ndaj nipërve dhe mbesave të mia, si dhe ndajë gjithë fëmijëve. Të gjithë kemi detyrime ndaj tyre që t`iu hapim dritaret të reja , t`iu dhurojmë hapsira të bollshme që ata të arrijnë të fluturojnë drejtë rrezës së diturisë si zogjt nën rrezet e diellit. Dhe pikërisht për këtë shkrim më nxiti edhe më shumë libri me titull ” A FLET ATDHEU ” liber ky me vjersha për fëmijë dhe të rinjë, të rinjë adoleshent mund të themi, të autorit nga Istogu/ Maxhun Osmanaj . Me Z. Osmanaj, poetin dhe mësuesin e nderuar , pata mirësinë të njihesha , gjatë Manifestimit të ” Ora e Poezisë” që u mbajt më 21 maj 2016, në qytetin alpin të Bajram Curri-t , e pikërisht në Muzeun e qytetit, ku teksa po përshëndeteshim pas mbarimit të këtij manifestimi dhe pasi m’u prezantua, se ne nuk njifeshim më parë, me shumë rrespekt më dhuroj dhe këtë libër të shkëputur nga krijimtaria e tij, për të cilin atë ditë e falenderova në mënyrë të mirësjelltë, thjeshtë për dhuraten dhe respektin, por falenderimin e plotë dua t’ia bëj sot, pasi i mora nektarin këtij libri , që arrita pikërisht ta lexoj  me daten 21 korrik , dhe pikërisht dy muaj më vonë që nga dita e dhurimit , nga proukupimet e shumta, koha e zënë etj,  por gjithsesi, tashmë u bë libër i lexuar nga unë. E kam lexuar këtë liber për rreth dy orë, pa shkëputje, dhe kjo falë lumit të poezive që më rrembeu në lundrimin e tij . Unë nuk futem tek asnjëra kategori që i përket ky libër, pra as fëmijë as adoleshente, por pavarsisht më dhuroj ndjesi shumë të mira dhe pozitive gjatë leximit të tij
Ndaj dhe vendosa të shkruaj edhe për këtë libër, realisht e ndjeva të shkruaj për këtë vlerë që  t`iu bëj me dije se vërtet është një dhuratë shumë e mirë për fëmijet tuaj. Jo, nuk them se është super libër , nuk them është madhështorë dhe se i ka thënë të gjitha, as qe nuk ka ndonjë gjë që edhe mund të ishte thënë apo bërë më bukur, por vërtet e përgjithshmja është e mbushur me vlerë reale për lexueshmërinë e tyre. Është një libër me plot “vitamina” për fëmijet të cilet do ta gjejnë veten mjaft komod dhe shëndetshëm brenda tij, si dhe plotësisht në botën e tyre, plus njohurive dhe vlera të shtuara nga autori, që kaq mjeshtërishtë dhe me thjeshtësi ka sjellur copëza jete nga jeta e tyre, por edhe të atyre përreth .. Do kenë se ç`të mësojnë dhe do kalojnë kohë të mirë me këtë mik të urtë . E përgëzoj autorin, Z. Maxhun Osmanaj për këtë gershetim të bukur të këtyre vargjeve, për këtë “gatim” të këndshëm dhe mjaft ushqyes që u servirë kryesisht fëmijeve në këtë “sofer”/ libër të begatë. Mire, le  të hymë paksa në këtë “guzhinë”  të bekuar dhe të ndalemi tek disa prej “gatimeve” të saj,  le të provojmë ndonjëren prej tyre  dhe të shikojmë  se ç`shije do na lërë, të shikojmë se sa bukur shprehet autori dhe se ç`tryeezë të pasur që na ofron, si psh; – në poezinë me titull ” SYTË E FËMIJËS” :- …Sytë e fëmijës janë kaltri / Ara me lule, me grurë / Janë më e ndritura ardhmëri / Diell që nuk perëndon kurrë / ……Sytë e fëmijës janë bota / bukuria e lulës, mjaltë, nektar / Oh, sytë e fëmijës janë lindjet / E të gjitha agimeve veshur me ar / …Sa bukur është shprehur atori në këto vargje , sa dashuri , sa adhurim për filizat e njomë, për ardhmërinë.
Autori duke qënë edhe mësues, patjetër që vargjet e tij përveç se të pasura janë edhe më pranë fëmijëve, dhe doemos që i ka kushtuar një poezi edhe nxënësit të klasës së parë, e cila titullohet …”UDHËTARI I DITURISË” :- …E nis rrugën e diturisë / Më të çmuarën në botë / Me hapat e fëmijërisë / Ëmbël rrugton nga sot / ……Paç fat të bardhë, o pëllumb / Për këtë rrugë me kthesa / Në këtë det të thellë, të pafund / kurrë mos të të lodhi djersa / …..Me mësuesin krye-arkitekt / Do ta pushtosh botën pa pra / Do të vësh themelet për jetë / Në të fuqishmen – kala.   Një vargëzim kaq i bukur, i thjeshtë, largëpamës  dhe ndriçues në rrugën e ardhmërisë !
Ndërsa në poezinë me titull “ATDHEU IM SHPIRTËROR” :- … Atdheu im nuk është / Veç n`hartë i vizatuar, / Por edhe diell i mëngjesit / Dhe muzg i perënduar./ … Atdheu im është fjalë e prindërve / Këshilla e mësuesit në klasë / Përrockë, lumë a det / Që përherë di të buçasë / … Atdheu im janë këngët / Ninullat e përkundura në djep, / AdemJasharët e GjergjElezAlitë / Atdhe jemi ne vetë /… Atdheu im janë lisat rrënjëhollë / Që çdo ditë i bëjnë ballë stuhisë; / Fatosat, nxënësit, studentët-/ Kala e pamposhtur e ardhmërisë . Në këto vargje autori shprehet me një atdhe-dashuri kaq sublime, të thellë dhe të bukur nëpërmjet shprehisë së tij të thjeshtë dhe fjalëve të arta …. Edhe një, edhe një, e të gjitha poezitë të bëjnë për vete me vargëzimin ndriçues, rrëfyes, këshillues dhe të bukur. Të citojmë edhe këtë katërvargësh të bukur që titullohet “MËNGJESET E MIA “ :- O, s`paska gjë më të mirë / Se në kopshtin e jetës të frymosh nektar / Lulet i sheh duke çelë / Gjithnjë për një fillim të mbarë.

Ka plot vargje të bukura në këtë libër, ku fëmijet do kënaqen dhe do mësojnë prej tyre…Në dukje ngjan si një liber i vogël , por që përmbanë afro 100 poezi që shprehin dhe dhurojnë aq shumë dhe padyshim që vlera e tyre kalon përtej kopertinës horizonteve të dijes…
Dhe së fundi, poetit të nderuar Maxhun Osmanaj i uroj penë të ndritur për të vegjel dhe të rritur , krijimtari të begatë dhe shumë suksese.
Uroj të kem thënë më shumë seç kam shkruar në tërsinë e këtij shkrimi .
Faleminderit lexueshmërisë.
Xhane IMERAJ  
   Tiranë
30/07/2016     
Botuar tek  Portali Zëri i Shqiptarëve – Voal
https://www.voal.ch/libri-per-femijet-mbase-duhet-te-jete-pak-naiv-por-jo-me-shume-se-vet-femijet-nga-xhane-imeraj/

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.