Wednesday, December 9, 2020

KARTOLINA NË DHJETOR

 Refleksione për poezinë “DHJETOR …” e poetes Xhane Sherif Imeraj

NGA Hasan Muzli Selimi

Duke lexuar poezinë e poetes të shkollës së filozofisë, të Xhane Sherif Imeraj bjen në sy afiniteti i kohëve. Të duket që kohët po ndahen, rrugës bashkohen deri në kryqëzimin e parë dhe prapë ecin ndryshe. Sillen, sikur bora në vorbullat e erës dimërore dhe prapë e njëjtë, prapë me të njëjtën formë dhe përmbajtje. “ ... ishte siç është edhe sot, Dhjetor i njëjti diell e njëjta kartolinë rrezet si ato ... , ...ne të dy, dy ... “ E pastaj fillon nga e para në kohën e shkuar në përrethësinë e imagjinatës për një pranverë me lule.
Ah, ky dhjetori. Më ngjallë gjithmonë kujtime. Disaherë më ka mërzit deri në infinit. Sa më është dashtë të duroj deri në pranverë, a në një festë tjetër dimërore që të shlyej kujtimin e idhët të këtij dhjetori që ndan kohët, që ndan udhët, që ndan mendimet, që ndan mallin, që ndan prekjet dhe sjellë në skenë mirënjohjen. Ky dhjetor që pret urimet. Ky dhjetor që mbart me vete gëzim e mall. E kur kalon e me vete s`bjen urimin e zemrës, apo atë urim që prêt gjithë kohën deri në dhjetor bluan në mendjen tënde. Bluan dhe merr në analizë arsye pse-në.

Me thënë të drejtën kam shkruar dikund për mirënjohjen, kam shkruar për përshëndetjen, kam shkruar dikund për urimin, kam shkruar për ndarjen, biles mallit i kam shkruar shumë e shumë. Në të gjitha këto që kam shkruar nuk m`ka prek asnjë sa poezia e poetes Xhane Imeraj “DHJETOR”. Një poezi që brenda vetes mbartë gjithçka që mund t’i thuash në një kartolinë. T’i thuash në një kartolinë me dhjetë a nëntë fjalë. T’i thuash një të dashuri a një miku që u njohe me të në ditën e gëzimit, a të ngushllimit. Të përshëndetesh me të në harmonin e gjakut a të marrëdhëniës që nuk thuhet. E me këtë rilexim të kësaj poezie më erdhi në mendje fjalori i këndshëm i një njeriu mirënjohës që mund ta sjellim në formën biblike. Më fal, tungjatëtjeta, urime, gëzofsh, ngushllime, qofsh dhe kujtofsh mirësinë, rrofsh, të përshëndes etj. Të gjitha këto edhe shumë të tjera që nuk po i nominoj, mbasi nuk është vendi as koha paraqiten në këtë poezi “Dhjetori” në mënyrën më të thjeshtë dhe sjellin simbolikën e tyre në fjalorin kuptimplot.
Ndalem në këtë poezi që sipas mendimit tim është për tu analizuar në kuptimin e mirënjohjes, jo vetëm njerëzore, por edhe në formën e mirënjohjes stinore. Njeriu ka gjithmonë lidhje me natyrën, me universin dhe në pranin e tij njeriu univers, ose materie ndërmjetëson korrelacionin e ndryshimit. E në këtë hap natyror njeriu është i prirur të mbetet historia. Të mbetet aktori, regjizori dhe dokumentuesi i gjithçkaje që ndryshon. Veç këtyre njeriu materi pëson nga materia gjithësi. Këtu merr dhe nxjerrë trupa si sot që nuk i përshtaten materies njeri. Nganjëherë këta trupa të ardhur në materien njeri dëmtojnë rëndë srukturen e kësaj materie (njeri). Kjo analizë e mësipërme vlen edhe për strukturën e një vepër arti që sot këtu në poezinë “Dhjetor” ndeshem me një fenomen prekës që gjatë tërë regjizurës poetike lidh mallin me respektin, lidh mirënjohjen me dëshirën dhe dashurinë njerëzore, lidh elementin natyrë me ekujnoksin dhjetor-mars, lidh shndërrimet dhe tabutë. Aty takohen dhe ngjarje në të cilën kalon njerëzimi.

Poetja gjatë rrugëtimit poetik nuk shpërqendron rrugëtimin as ndryshimin e karakterit të saj letrar e krijues, por të magjeps me lirshmërinë e krijmit. Të bën të sillesh që të gjësh fjalorin e kodit natyrë. Të zbardhësh idenë në kuptimin filozofik. Poetja po udhëton në natyrën e vendlindjes, ose më mirë të origjinës dhe nuk po udhëton nga Kreta në qytetin e Knososit për në tempullin e Zeusit. Ajo edhe pse është një poete dhe filozofe nuk është asnjëri nga këta tre të mëdhenjët e shekujve, siç po i nominojmë këtu. Nuk është as Athinasi, nuk është as Klinia, nuk është as Megjili që udhtuan n`bisedë me lloj-lloj pyetjesh e përgjigjesh dhe qëi dërguan në zgjidhje. Poetja jonë në këtë poezi është një krijuese e dimensioneve natyrore. Nuk këndoj me gojë të kyçur, kur lind dielli si në vendet Indiane. Ajo pasqyroj me vërtetësi ndodhitë. Si një kronikane e shkollës Fishtjane. Bëri historinë si edukatë njerëzore në gjeografinë e filozofuar me një thjeshtësi. Ajo simbolizoi format që kurrë nuk kanë vendndodhje. Ato janë pa adresë në hapësirë dhe janë kudo.
Në poezinë “Dhjetor” kemi formën e një vepre letrare që tani me formën jo materiale ka prapë një vend në hapësirë. Ne e pranojmë që forma dhe përmbajtja e plotësojnë njëra-tjetrën. E në këtë këndvështrim poetja tani na solli në dorë një poezi që materializon kohën në gjeografinë ekujnokse.
E dimë që dhjetori do të sjell ndryshim. Do të sjellë ndryshim edhe në tokë edhe në qiell. Bota rrotullohet e këtë e di edhe poetja, edhe ne. Por si rrotullohet mendimi ne nuk e kemi të qartë akoma. Seicili krijues e ka mendimin e ndarë nga krijuesi tjetër. Nëse njëri nga ne do t’i shkruaj dhjetorit do të nxjerrin diçka që poetes tonë nuk i kishte shkuar në mendje kurrë. E kjo është e saktë, sepse për një send, për një objekt, për një nga yjet në hapësirë duke përfshirë këtu edhe diellin edhe hanën ndryshe shkruan një poet, ndryshe shkruan një tjetër.
Dëgjoj shpesh që thuhet për poezi të ndryshme në komente. Poezi me metafora të pakrahasueshme, figura letrare të bollshme edhe të papërdorura nga askush e tjera. Askush nuk ndalon tek ideja që mbartë kjo poezi. Nuk ndalon tek porosia që jep në të ardhmën. Nuk ndalon e nuk e thonë që kjo ka simbolikën e sqaruar, por flitet si në përgjithësi. Asnjëri nuk flet për thjeshtësinë e të shkruarit. Për ndërtimin e kësaj vepre dhe cilësimin filozofik që mbartë. Të thëna në përgjithësi. Ndërsa poetja jonë ka thyer tabutë dhe është ndalë tek thjeshtësia e mendimit, tek thjeshtësia e fjalorit, tek fshehtësia e simbolikës. I ka lënë lexuesit të lodhen, nëse don të gjejë qëllimin, t’i gjëje mesazhin ose porosinë që mbart, të gjëje modelin e saj.
E thamë pak më lart se poetja ka një shkollim Fishtjan. E përcaktoj kështu pikërisht këtë vajzë Bytyçi. Po shkolla fishtjane kishte në brendësinë e saj historinë, thjeshtësinë e të kuptuarit, figurat e hiperbolizuara në shërbim të çështjes. E për këtë ne i drejtohemi poezisë: “... mbaj mend se ishte Dhjetor si tani, ditë me shi, pak ftohtë ndryshe atëherë, rrugët ishin plot jetë fund viti dhe të gjithë vraponin si të vonuar... ... të vonuar në mbylljen e diçkaje hapjen e një tjetre ... mbase të vonuar për një dashuri si ...” Këtu poetja flet për një kujtesë që eleminon dashamirësisht kohën në të cilën tani jemi dhe hidhet në kohën e shkuar që sjell në vëmendje vrapimin si në shkollën e re të një djali, apo vajze të cilët përpiqen të lexojnë në muret e kësaj shkolle orarin e mësimit. Përpiqen të gjëjnë fjalën magjike që është në fund të vitit. Ajo fjala urime, ajo fjala gëzuar, ajo fjala të dua e që rrinë në mendjen e të gjithëve deri në fillim mësimin e vitit tjetër që edhe ai vit i ftohtë me borë, erë, shi, breshër.
Në analizën e kësaj vepre që unë e quaj më plot kuptimin e saj vepër mjaft e kompletuar që simbolizon kohën e cila në hapin e vonuar nuk dëgjon asnjëherë fjalën “me fal” të “dua” “mirupafshim”. Ne harrojmë që nesër është vonë ta përshëndesësh njeriun që don, njeriun që e ke njohur, njeriun që mendon që ia vlen ta urosh. Poetja thërret mos jeni të vonuar të doni, mos jeni vonuar të falenderoni, mos jeni të vonuar të thërrisni miqtë e të dëgjoni fjalën: “A don miq o i zoti i shtëpisë”. E në hapin e fundit njeriu ngutet e s`din çka bën e ndoshta nga ngutja nesër është vonë ta riparosh. Këtu poetja shprehet ëmbël. Krejt thjeshtë. “ ... mbase të vonuar për një "më fal"për një falenderim të vonuar në mbajtjen e një premtimi të vonuar për çdo gjë ... Ngutet njeriu në hapin e fundit, por hapi i fundit përbëhet nga pafund hapa të vonuar që arrijnë e nuk arrijnë dot....”
Poetja me një rregullsi të admirueshme, me një koncept meditative të simbolit, këtë të shprehur në formën më universale ka sjellë në pjesën e tretë të poezisë një kaos. Nuk thonë kot që rregullsia është dhe sjell kaos. Ajo në këtë pjesë sjellë në vëmendjen e të gjithë lexuesve se atë ditë ishte dhjetor. Pra, nuk del nga dhjetori i ftohtë e i pamëshirshëm. Nuk del nga dhjetori që kishte mjergull, lagështi, brymë, fare pak, ose aspak diell. Ajo shpjegon tregimtarisht se yjet janë si kurrë më larg me njëri-tjetrin, janë larg në dashuri, janë larg në ëndrra. Ata janë shkuar aq larg në marrëdhënie sa edhe me veten e tyre janë të largët. Këto yje janë mbështjellë tymnajës si zogjtë e plogësht. E tani edhe qiellin e kanë tjetërsuar. Eh moj poete, toka ka qenë gjithnjë e pabesë, ajri sjellë e jep mikrob, sa bota dridhet me pabesinë e saj që gjithmonë na ka ngrënë krejt pa dhimbje. Misterin dhe konspiracionin e dhimbjeve e flakim në ndarje nëpërmes antitrupave në lëvizje. E thërrasim në takime. E braktisim pa ndërgjegje. E ndoshta dikush thotë çka janë këta njerëz që s`kuptojnë ngjarjen. Kështu poetja ballancon dhimbjen me fjalët: “... ishte Dhjetor si tani i ftohtë, i brymtë, i mjegullt, por tani ... edhe me i ftohtë se kurrë të largët yjet mes yjeve të largët me jetën , me dashurinë me ëndërrat … të largët me vetën ... ...mbështjellë tymnajes si zogj të mbetur plogësht ... sikur edhe qiellin na e kanë tjetërsuar toka, më e pabesë ajri, vetë misteri i të gjithës ...”
Poetja kaloi dhimbjen dhe vetes filloi t’i jepte optimizëm. Tani si krejt poezia këtu prapë histori poetike. Dhjetor si atëherë. Në të njëjtën ditë, në të njejtën orë solli kartolinë. Pra dhjetori i ka sjell kartolinën, sepse dhjetori është muaj i të gjitha rregullsive edhe parregullsive. Ky dhjetori është edhe i kartolinave edhe i kaosit brenda një kartoline. Asaj i dhanë kartolinë me fije bore. E lexoi në rrezet e diellit. Por mbeti peng i këtyre rrezeve që atëherë. Mbeti peng, sepse kartolinën ia la në dorë dhe iku. Nuk e kuptoj pse iku. Që atëherë me kartolinë që e lexon me sy. E pse tani s`përseritet kartolina në ditën e dhjetorit. Sepse ai me urimin është dikushi që sjell bukurinë e diellit në të katër stinët. Ne e kemi parë në një datë të vitit që ka një bukuri të rrallë dhe të papërseritshme perëndimi i diellit. Edhe nëse ti, apo unë dalim në njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtën minutë të njëjtës stinë nuk shikojmë bukurinë që kemi parë një vit më parë. Kjo ka kuptimet e veta të gjendjes emocionale të çastit, të ndryshimit, të pozicionit të tokës në rrotullim e shumë elementeve të tjerë. Por dashuria nuk del kurrë nga brendia emocionale. Nëse pengu i jetës është dikush është gjithmonë dashuria që merr e jep ndër njerëz. Ajo është rregullatori i gjithësisë. Sillet e vjen nëpërmes fjalëve magjike që ne i thamë më lart.
“ ... ishte Dhjetor si tani ... kur kartolinën me flokë dëbore ma le në dorë dhe ike ... ç`kishe shkruar me sy e lexova "Ti je dielli i katër stinëve" ... rrezet e diellit papritur seç më rrethuan e mbeta peng brenda tyre ...” Poetja pasuron ankthin, kohën dhe gjendjen që kalon sot mjedisi botëror. Ne jemi në anën e përleshjes anonime me një armik anonim. Ky armik kafshon. Edhe pse në shënimin tim fola për metaforat që flitet gjithmonë këtu s`mund të kaloj lehtë. Figurat metaforike të përdorura këtu vërtetë i gjenë rrallë. Kjo është kulmi i hapësirës artistike. Brenda një vargu jep jetë e brenda një vargu sjell me veten dhunën e imagjinueshme. Ja sa bukur muzikaliteti poetik. Ti je dielli i katër stinve. E në këtë shpalosje rrezet e diellit e marrin peng atë ditë e sot. Kushedi sa dhjetor është peng kjo imagjinatë. Kushedi sa era ka fryrë e fijet e borës nuk janë shkri në kartolinën e shkruar.
Unë nis nga poezia shumë prekse e poetes Imeri që ujit me ujin e mallit dhe të emocionit, që kapërcen krejt analet e filozofisë së kohës.Tani ju pyes. Sa kohë ka që nuk keni marrë një kartolinë nga miku, i dashuri, e dashura, vllai, motra, nana, baba, e ndonjë tjetër që keni kaluar ditë, apo orë në plazh? Ju përgjigjem unë. Jo askush nuk dërgon kartolinë as në dhjetorin e poetes. Vetem atëherë në dhjetor. Si sot në këtë dhjetor. E që atëherë kartolina rrinë, por mban të njëjtën datë e të njëjtin muaj dhjetor. Mjafton në faqen tënde të fb që nxjerrë një urim pa adresë. Edhe sms-në e nis pa emër në telefonin e pronarit të telefonit. Ai sms nuk dihet kujt i ka shkuar e kujt i drejtohet, sepse nuk e ka emrin kujt i niset. Në fund fjala shabllon është shumë hipokrite “… sinqerisht X ”. Sa banale, sa e pa sinqertë, sa e pa ëmbël, sa e idhtë, sa mospërfillse kjo sms që harxhon kohën shumë të çmuar. Kjo mospërfillje në sms-në e urimit që nuk ka adresë nisje as mbërritje harmonizon hipokrizinë me meskinitetin.
Pastaj poetja rrëfen vargun poetik. “ ne tw dy… tw dy. Pse ne “ ne të dy … dy”. Unë mendoj që në atë dhjetor kishte solidaritet. Tani ka hipokrizi, meskinitet. Qysh atëherë në atë ditë dhjetori kartolinën e rrethojnë rrezet e diellit. E ngrohin, e emocionojnë e dashurojnë e ftojnë të mbajtur peng. Poetja sjell edhe njëherë e të fundit në vemendje që ishte dhjetor. “ ... ishte siç është edhe sot, Dhjetor i njëjti diell e njëjta kartolinë rrezet si ato ...”
DHJETOR
... mbaj mend se ishte Dhjetor
si tani, ditë me shi, pak ftohtë
ndryshe atëherë, rrugët ishin plot jetë
fund viti dhe të gjithë vraponin si të vonuar...
... të vonuar në mbylljen e diçkaje
hapjen e një tjetre ...
mbase të vonuar për një dashuri
si ...
... mbase të vonuar për një "më fal"
për një falenderim
të vonuar në mbajtjen e një premtimi
të vonuar për çdo gjë ...
Ngutet njeriu në hapin e fundit
por hapi i fundit përbëhet nga pafund
hapa të vonuar
që arrijnë e nuk arrijnë dot ....
... ishte Dhjetor si tani
i ftohtë, i brymtë, i mjegullt
por tani ...edhe me i ftohtë se kurrë
të largët yjet mes yjeve
të largët me jetën , me dashurinë
me ëndërrat ..
të largët me vetën ...
...mbështjellë tymnajes
si zogj të mbetur plogësht...
sikur edhe qiellin na e kanë tjetërsuar
toka, më e pabesë
ajri, vetë misteri i të gjithës ...
... ishte Dhjetor si tani ...
kur kartolinën me flokë dëbore
ma le në dorë dhe ike ...
ç`kishe shkruar me sy e lexova
"Ti je dielli i katër stinëve"
... rrezet e diellit papritur seç më rrethuan
e mbeta peng brenda tyre ...
... ishte siç është edhe sot, Dhjetor
i njeti diell
e njejta kartolinë
rrezet si ato ...
...ne të dy
dy ...


Tiranë
08 / 12 / 2020

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.