Tuesday, November 24, 2020

SHABAN MULAJ NJERIU I KAPLUAR NGA ARTI DHE THJESHTËSIA

 

-         Shkrim monografik

 

 

"Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet

dhe mbi të cilën është e pamundur

 të heshtësh." - Viktor Hygo

 

Arti luan rol të rëndësishëm në formimin e kulturës së një shoqërie. Në të gjithë botën historitë e komunitetit, zakonet, kulturat dhe besimet ndër shekuj janë përcjellë brez pas brezi, qoftë nëpërmjet rrjedhës së saj të pashmangëshme në formë të natyrshme, gjithashtu edhe nëpërmjet shumë e shumë  përpjekjeve në rradhë të parë të vetë komunitetit, por më vonë edhe nga institucionet përkatëse shtetërore apo dhe organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, duke bërë të mundur mbrojtjen, ruajtjen dhe përcjelljen e llojeve të ndryshme të thesareve të paçmuara të trashëgimisë kulturore materiale dhe asaj shpirtërore e natyrore, që vazhdojmë të gëzojmë ende sot.

Një e tillë trashëgimi, veçmas ajo shpirtërore, me një folklor tejet të pasur muzikorë, instrumental, vokale, koreografike, këngë, valle, artizane, etj, etj, gjithçka që ka mundur të mbartet dhe të ruhet ndër kalvarin jo pak të mundimshëm e të trazuar ndër shekuj, është edhe trashëgimia kulturore materiale dhe shpirtërore e rrethit të Tropojës, si pjesë me vlera të veçanta dhe të çmuara të trashëgimisë, artit, historisë dhe kulturës shqiptare.

Këtë trashëgimi kulturore shpirtërore , këtë folklor kaq të pasur që kemi sot, nuk do mund ta përftonim e ta gëzonim, po të mos ishin në gjirin e bashkësisë tonë, talentet dhe artistët që ndër shekuj i kanë mbartur dhe i kanë mbrujtur këto thesare, duke i përcjellë sa më origjinale por edhe duke i përtërirë dhe përmirësuar më pas me kultivimin e tyre ndër breza.

Ky shkrim i kushtohet pikërisht një të tillë talenti siç ishte artisti i paharruar, Shaban Mulaj.


KUSH ISHTE SHABAN MULAJ..?

Shaban Mulaj, ishte dhe mbeti një prej korrilave, të pazëvendësueshëm në koreografinë e tërsisë së gurrës së pashtershme të folklorit artistik në grupin e artë e të lavdishëm të Ansamblit "Dardania" të Tropojës, të cilët me artin e tyre kanë mahnitur dhe ndezur jo vetëm publikun dhe skenat Shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare, ku me jo pak çmime janë nderuar si brënda dhe jashtë vendit. Artist i vacantë, talent i shumëanshëm. Instrumentist i kalibrit mjeshtëror, duke  spikatur në çifteli, të cilës i binte si rrallë ndonjë tjetër në Tropojë dhe përtej saj. Vetë legjenda e folkloritshqiptar, rapsodi i shquar popullor, Dervish Shaqa, me të cilin Shabani takohej përgjatë veprimtarive artistike, por edhe në shtëpinë e tij në Tropojë të Vjetër,  ku Dervishi  kalonte plot net të ngrohta vllazërore me Shabani dhe babain e tij, Ram Halili, si dhe gjithë sa mblidheshin aty rreth tyre, shprehëte vlerësimin më të lart për talentin dhe mjeshtërinë e Shabanit, veçmas atë të  rënies së çiftelisë, ku në gëzim e sipër, duke ngre dolli e duke bërë muhabet odash, e godiste paksa sharkinë për sofër dhe i thoshte Shabanit : "... Prej këtu e në Mitrovicë jam unë mbreti i sharkisë, e ndërsa ti Shaban, je mbreti i çiftelisë… kurse mbreti i këngës shqiptare është, Isuf Halili ", një shprehje kjo mes miqësh që është mirëpritur, pranuar e  përcjellë  ndër kolegë dhe artistë të brezit të tyre.

Shabani luante po kaq mjeshtërisht edhe  në sharki, lahutë, fyell, tupan, dajre, mandolinë, fizarmonikë etj. Ishte këngëtar i këngës popullore dhe asaj të muzikës së lehtë, demonstrues i talentuar i valleve folklorike, kompozitor i disa këngëve, instrumentaleve dhe melodive të realizuara me mjeshtëri të lartë, të cilat sot duhet të  vlerësohen si pasuri tepër të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm asaj tropojane por mbarë shqiptare. Regjisor, rapsod, tekst-shkrues, drejtues dhe organizator në bashkëpunim në pothuajse të gjithë veprimtarinë artistike të rrethit të Tropojës për mbi 30 – vite. Anëtar i këshillit artistik për përgatitjen dhe organizimin e pjesëmarrjes së Tropojës    “Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, përkrah Sali Doçit, Bashkim Gjyriqit, Hamit Aliaj, Skënder Haklaj , Deli Metaliaj, Kol Susaj, Marash Mhilli, Hysni Prengzi, Ali Mulaj, etj.    

JETA E HERSHME, FAMILJA …

Shaban Mulaj, lindi më 28 nëntor të vitit 1953 në fshatin Tropojë e (vjetër)  të rrethit të Tropojës, në një familje

me tradita të pasura kulturore, nga rrënjët e së cilës gurgulloi më pas  gjithë arsenali artistik që do shpaloste Shabani ndër vite. Ai lindi nga dy prindër të thjeshtë dhe të virtytshëm, i ati Ram Halili (Mulaj) dhe e ema Nifa, të cilët lindën dhe rriten tre djem dhe tre vajza duke përcjellur tek ata vlerat më të mira. Herët, babai i Shabanit, është angazhuar me grupet amatore popullore, ishte aktor amator, valltar, instrumentist, i cili luante mjeshtërisht  në sharki, çifteli, fyell, etj, duke e përcjellë më pas këtë talent dhe dashurinë për artin edhe tek i biri, Shabani, i cili e  pasuroi dhe e përjetësoi edhe më tej. Shabani që në moshë fare të vogël, diku 7-8 vjeç u bë pjesë e skenës artistike të Tropojës, duke i rënë çiftelisë në mënyrë të mrekullueshme përpara publikut artdashës të qytetit të Bajram Currit, të cilit më pas  do vazhdonte t`i dhuronte emocione të bukura përgjatë gjithë jetës së tij. Shabani, me talentin e tij të lindur dhe të kultivuar, me punën e palodhur dhe pasionin e tij prej artisti të thekur, duke lëvruar aq bukur dhe thellësisht në tabanin popullor, bëri të jetë i pazëvendësueshëm në gjithanshmërinë e tij artistike , si dhe një emër shumë i dashur dhe i paharruar për artdashësit shqiptarë, në veçanti vendlindasit e tij.

Shabani kultivonte artin, e arti e rriste Shabanin..


Erdhi koha dhe krijoi familjen e tij, e cila përbëhej nga ai dhe bashkëshortja e tij, Lire  Mella (Mulaj),  nga ku më pas jeta i bekoi me katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Patjetër që edhe fëmijet e tyre do trashëgonin nga ky nektar artistik, duke u prezantuar me këngë, valle dhe recitime në shkollë. Po ashtu edhe bashkëshortja e Shabanit, Liria, që ka punuar si llogaritare,  u përfshi në art, duke marrë pjesë në festivalin e Gjirokastrës si soliste me çifteli por edhe si valltare.


ARSIMI …


Mësimet e para artisti Shaban Mulaj, i përfundoi në shkollën e mesme bujqësore “16 Tetori”, sot e Mesme e Bashkuar “Ali Ibër Neza” Tropojë. Në vitin 1970 përfundoi 2-vjeçarin, formim profesional, “Shkolla e Rezervave të Punës” në Tiranë, ku u kualifikua si saldator. Në vitin 1971 u mobilizua në shërbimin ushtarak në sistemin 3-vjeçar, në Shkodër, si oficer rezervist, në Vaun e Dejës.
Shabani ishte oficer rezerve dhe drejtonte stërvitjen e efektivave rezervistë në Garnizonin e Tropojës dhe më vonë në Shkollën e lirë ushtarake, në detyrën e komandantit të kompanisë mitraljere. Krahas këtij formimi dhe punës më pas në (NSHN), Shabani, u aktivizua në art duke rënë në sy me talentin e tij në veprimtarit artistike dhe kulturore në Tropojë. Në sajë të talentit që po shfaqte, dërgohet në atë kohë në një kurs njëvjeçar për regjisor në Tiranë, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira. Pas këtij kursi, Shabani, më 1975-1982, ka mbajtur pozicionin si Ndihmës Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në rrethin e Tropojës, njëkohësisht dhe Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në Kooperativen Bujqësore, në Tropojë, duke  mbuluar dhe drejtuar me mjaft përgatitje dhe seriozitet profesional edhe të gjitha organizimet e  veprimtaritë artistike dhe kulturore të shkollës së mesme.

Nga Drejtoria Arsimore e atëhershme në bashkëpunim me Komunën e Tropojës, për ca kohë u emërua edhe si mësues plotësues për lëndët muzikë dhe vizatim, në fshatrat Kovaç, Kërrnajë dhe Buçaj. Njeri dhe artist, emri i të cilit lakohej gjithmonë me vlerësim, respekt dhe dashuri nga  miqtë  dhe artdashësit  e gurrës popullore.



JETA ARTISTIKE …

Shaban Mulaj ishte një artist, i lindur për të krijuar art. Një artist popullor i dëshmuar me talentin e tij shumë dimensional, këmbënguljen, vullnetin si dhe mjeshtërinë si rrallë ndonjë tjetër aq i përfshirë dhe aq në brendësi të të gjithë folkut të Tropojës dhe trevave përreth. Me humor dhe shkathtësi skenike të natyrshme. I mrekullueshem si njeri dhe i madh si artist.  

“Talenti është dhuratë; / Por që t`i përkushtohesh, nuk është e lehtë. / Do t’ju kushtojë, kohën e një jete." - shprehet pak a shumë  kështu, në një prej librave të tij shkrimtari i njohur amerikan,  Irving Stone. Kjo shprehje i shkon kaq përshtat, artistit të talentuar Shaban Mulaj, karrierës së tij si të pazhurmshme, por ndërkohë shumë të dukshme dhe të pasur prej mbi tre dekadash. Një udhë artistike, fiellesat e së cilës u duken që në fëmijëri, duke shprehur talentin e tij vetiu, e ku më pas me një disiplinë, përkushtim dhe punë tepër të madhe dhe mjeshtërore, arriti që t`i dhurojë thesare të paçmueshme  folklorit të krahinës së tij  dhe mbarë folkut shqiptarë. 

I lindur në një trevë të vogël siç është Tropoja, por me vlera të medha kombëtare,
pranë lumit të Gashit, kësaj mrekullie natyrore tashmë të mbrojtur nga “UNESCO”. I rritur rrëzë madhështisë së malit dritë-hyjnor të Shkëlezenit, pranë perlës së alpeve shqiptare lumit Valbona, maleve, fushave, krojeve, anekënd natyrës së mrekullueshme të Malësisë së Gjakovës. I lindur dhe i rritur duke dëgjuar dhe duke mbartur Eposin e Kreshnikëve, këngët legjendare të shoqëruara me lahutë, vallet karakteristike të zonës, gojëdhënat, ngjarjet, historitë, qëndresat, trimëritë, çdo gjë fisnike dhe të bukur të njerëzve të atyre viseve. Tharmi dhe burimi frymëzues, nuk i mungonte një talenti dhe artisti si Shaban Mulaj, gatuar dhe  ushqyer shpirtërisht nga këto damar dhe rrënjë të thella Dardane.

Emocionet e artit dhe duartrokitjet Shabani filloi t`i merrte dhe të njëhësohej me to që herët. Karrierën e tij artistike e filloi si instrumentist dhe pikërisht me çifteli, ku më pas do bëhej mjeshtër i këtyre dy telave magjik.


 Përgjatë gjithë karrierës së tij, Shaban Mulaj do kishte fatin të punonte me shumë artistë profesionistë dhe të zot, si kompozitorë, koreografë, instrumentistë, këngëtarë, vallëtarë, rapsod, poet, shkrimtarë, piktorë, aktorë,   regjisorë, skenaristë, veteranë, mësues, nxënës, njerëz të thjeshtë , drejtues, me një fjalë me të gjithë ajkën e folkorit, artit dhe  kulturës së Malësisë së Gjakovës dhe trevave të tjera shqiptare. Të gjithëve u ra në sy talenti, njohja kulturore, zelli, pasioni, dhe mjeshtëria e tij artistike, që nga bubërrimet e skenës, të shkruarit në letër, qelq, beze, fasda muresh, vendosjen e banderolave dhe pankartave kudo ku realizoheshin eventet kulturore, e gjer tek  drejtimi dhe organizimi i programeve artistike së bashku me kolegët e tjerë drejtues. 

Krijues i disa koreografive, kërcimtarë, tekst-shkrues, këngëtar, instrumentist i përfshirë pothuajse në gjithë tërësinë e pjesëve që interpretoheshin në shfaqje apo koncertet që realizonin.
Që nga 1973-shi e deri në fund të jetës së tij, Shabani  mori pjesë  në të gjithë festivalet folklorike të mbajtura si në Gjirokastër ashtu dhe në Berat, në të cilat falë mjeshtërësië së tij artistike është nderuar edhe me tituj të ndryshëm nderi.  Sot vlerësohet dhe mbahet mend nga artdashësit si një artist i madh dhe jo vetëm si interpretues i një mori veglash popullore, por edhe si krijues dhe shpeshherë dirigjues në formacionin e orkestrales, ideator dhe kontribues në shumë degëzime të folklorit, artit dhe kulturës në Tropojë. Nxitës, përkrahës dhe mësues për të rinjtë e talentuar, i kudondodhur grupeve dhe rretheve kulturore. Mik dhe dashamirës me të 
gjithë.


Është e pamundur që të rënditet dhe të përmendet në këtë shkrim çdo vepër artistike e tij, por na e ka bërë lehtësishtë të mundur vetë artisti Shaban Mulaj, nga ku mjafton të sjellim ndërmend festivalet, koncertet, festat lokale çdo organizim kulturor, dhe aty do e shohim tek dallon me talentin dhe artin e tij. Kudo ku gërmojmë në arshiven e folklorit të zonës tonë, në libra, kudo ku ruhen fotografi dhe inçizime, të publikuara edhe në web, youtube, e rrjete sociale vërehet arti dhe kontributi i tij artistik mes kolegëve të tij të shumtë. Veçohet dhe mbahet mend edhe si ideator në kompozimin
e disa melodive dhe instrumentaleve të mrekullueshme, të dëgjuara  dhe të vlerësuara gjerësisht nga mbarë artdashësit shqiptarë brenda dhe jashtë kufive të Shqipërisë, siç ishte dhe vazhdon të jetë dhe të dëgjohet edhe sot me po aq kënaqësi nga artdashësi,  “Melodia e Kumonëve, luajtur në fesetivaline e vitit 1978-të, ku merrnin pjesë edhe artistët të tjerë të mirënjohur si Ali Mula sot “Mjeshtër i Madh” , Bashkim Kovaci, Riza Doci, Shaban Gjyriqi, Ali Bajraktari, Mustaf Uka e të tjerë orkestrantë të ansamblit të Tropojës.

Apo dhe  “melodia me çifteli” kompozuar dhe  luajtur nga Shabani, të cilit i cicëronte çiftelia në dorë si zogjtë e bjeshkëve të Tropojës, i shoqëruar po kaq bukur dhe mjeshtërisht edhe  nga grupi i orkestrales së ansamblit “Daradania”, në Festivalin e Gjirokastës,  të vitit  1988-të, ku nën drjtimin  e mësuesit, poetit, sot “Mjeshter i Madh” Hamit Aliaj, bashkë me kompozitorin  sot “Mjeshtër i Madh” Kol Susaj, valltarin, koreografin , sot “Mjeshtër i Madh” Skënder Haklaj , etj..u fitua nga Tropoja  për herë të parë, çmimi i parë në këtë format. Shabani ishte solist në orkestra, dukshem i zoti dhe me aftësi mjeshtërore që binte në sy gjithmonë, si me çifteli, sharki, tupan, fizarmonike etj.. Me mjeshteri interpretonte edhe në orkestren që shoqëronte  të madhen Fatime Sokoli, "Artiste e Merituar" , si dhe në orksren e bilbilit të këngës popullore, Fatmira Breçanit, e cila sot mban titullin “Mjeshtër i Madh.”  Mjeshtërinë e tij artistike e shohim edhe tek  “Vallja e Sokolit” duke i rënë tupanit dhe duke kërcyer njëkohësisht, e shohim edhe tek “Ritme me Tupane”, në valle burrash, etj. 

Në veprimtaritë e ndryshme jashtë vendit, artistit Shaban Mulaj, për herë të parë iu dha mundësia artistike në një formë përzgjedhje, të shkonte në Mal të Zi , në Ulqin, bashkë me orkestrën e "Artistit të Popullit" mjeshtrit të çiftelisë Ndue Shyti, shoqëruar edhe nga këngëtari i njohur i muzikës popullore qytetare shkodrane, "Artisti i Merituar", Xhevdet Hafizi , tenorin Ibrahim Tukiçi "Artist i Popullit" , si dhe nga rapsodi i mirënjohur Isuf Halili , mjeshtër i këngës autoktone tropojane, të gjithë këta artistë së bashku  plotësonin grupin artistik të Pukës në atë festival , përkrah edhe shumë artistëve  të tjerë.

Gjithashtu, me grupin Ibrahim Muça e Islam Mustafa, Shabani  vajti privatisht në New York, Amerikë, ku dhe ka marrë pjesë në disa  festime të ndryshme në diasporë. Shumë shpejt atje ra në kontakt me rapsodin e mirënjohur Bajrush Doda dhe më vonë në Tiranë, bashkëpunuan duke bërë disa kaseta dhe regjistrime.


Pas `90-es,  Shabani arrti që mjeshtërinë e tij artistike ta përçonte edhe në Kosovë ku gjeti një vllazërim dhe mikëpritje të madhe. Atje punoi disa vite me grupin e Deçanit në bashkëpunim  me  Pallatin e Kulturës, Komuna Deçan. Shabanin e afruan dhe e deshtën shumë të gjithë, ashtu siç dinte të bënte për vete artisti me  dashurinë dhe thjeshtësinë e tij...  në veçanti  e deshti dhe e respektoi shumë  familja patriotike Haradinaj, familja e ish - Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj , që nga baca Hilmi, Ramush dhe Daut Haradinaj, etj. Atje Shabani punoi dhe këndoi me shumë rapsodë dhe këngëtarë  të njohur, si këngëtarin e muzikës popullore rapsodike Mustaf Rama, në kullën e të cilit qëndroi 5-vite si në kullën e tij,  rapsodin e mirënjohur  Januz Mushkolaj, rapsodin Kadri Mani, rapsodin Cen Vishaj, vëllezërit Çetaj, me rapsodin e njohur  Shaban Shishmani, e plot të tjerë. 


Një vend të dashur e të artë zinte edhe letërsia në jetën e artistit Shaban Mulaj, i cili lexonte shumë literaturë artistike, përfshihje në orët dhe takimet letrare, krijonte poezi, tekste këngësh, të cilat mbetën në dorshkrime… që u botuan më vonë nga familja, pas ndarjes së tij nga jeta, në librin e titulluar " VEÇ FRESKIA E BJESHKËVE TË MIJA" të cilat janë poezi lirike, patriotike, këngë për luftëtarët, etj. Arti dhe figura e tij artistike u bë tepër e njohur dhe e dashur për publikun, i cili e mirëpriste gjithmonë me duartrokitje të ngrohta. Shokët, miqtë artdashësit filluan ta thërrasin Shabanin edhe në dasma dhe gëzimet e tyre familjare ku ai shkonte në mënyrë vullnetare.

Asgjë nuk e ndalonte që të shfaqte artin e tij, as puna, lodhja, mundimi, as familja e tij e dashur që i duhej të kujdesej për të, as mangësitë ekonomike, as menjanimi apo mos lënja e hapsirës së merituar mbase në ndonjë pozicion pune pas `90-ës , ku mund të kontribonte akoma edhe më shumë…ndonëse në një mënyrë apo në një tjetër Shabani do të gjendej aty ku ishin eventet kulturore, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e tyre, edhe pse prej 20-viteve në demokraci, përveç tre viteve të fundit të jetës së tij, artisti Shaban Mulaj  nuk ka  firmosur në shtet kurrkund… Megjithatë, ai arriti t`ia dilte mbanë talentit, pasionit  dhe artit të tij,  privatisht.

Por fati është kryeneç, e jeta  tregohet e pabesë ndonjëherë… Ashtu siç u tregua edhe me artistin e paharruar Shaban Mulaj. Papritur dhe pakujtuar, ju shfaq një sëmundje e rëndë, që në gjuhën mjeksore quhet “ Aneurizem Cerebrale”, gjëndje shëndetësore kjo për të cilën  duhej  të bënte një ndërhyrje kirurgjikale në kokë … Artisti mbetet artist në çdo moment… I ulur në karrocën e sherbimit spitalor i bërë gati për në sallën e operimit, shkruajti  disa vargje … “ Jam një djalë, vij nga Malësia / nuk kam frikë nga bisturia ..” etj…kështu artisti po mundohej t`i jepte zemër vetvetës dhe familjarëve të tij… Por fatkeqësisht, operacioni nuk pati sukses… Artisti i paharruar Shaban Mulaj, iu dorzua fatit, duke ndërruar jetë më 15 janar 2010.

Kjo ikje e parakohshme e Shabanit, ishte e rëndë dhe e dhimbshme për familjen , gruan, djemt, vajzat, vëllezërit dhe motrat, fisin dhe gjithë Tropojën.  Fort e dhimbshme edhe për kolegët, artistët, bashkëpunëtorët e shumtë në Shqipëri, Kosovë, kudo trojeve shqiptare, e dhimbshme për artdashësit, humbje për folklorin , artin dhe kulturën tropojane dhe mbarë shqiptare.  

Në përcjelljën e tij për në banesën e fundit, të dëshpëruar dhe me dhimbje lëshoi e gjithë Malsia e Gjakovës, kolegë dhe miq të shumtë nga e gjithë Shqipëria. Vetëm nga Kosova kanë marrë pjesë mbi 330 vëllezër kosovarë për ngushëllim., ku vetëm nga Deçani  kanë marrë pjesë mbi 38 persona njëherësh,  në mes tyre, baca Hilmi Haradinaj.

Një vit më pas, publicist dhe poeti i nderuar Zeqir Lushaj, do i kushtonte një elegji të përvajshme por edhe lartësuese figurës së artisti Shaban Mulja dhe një kolegut të tij artist:

N'SOFËR T’KANGËS DY VENDE THATË                                                                                                -Kushtuar kangëtarëve, Dan Gjeçi e Shaban Mula-

 

Pse rapsodët sot s’po këndojnë?

I kan pshtet veglat e kan mshel gojën!

N’Has po mbajnë heshtje për Danin,

N’Tropojë t’Vjetër, për Shabanin.

 

Me krahë hapur i muer Xheneti,

Dy shahira na i ndau prej veti,

Kan’ mbet sot e për shumë gjatë,

N’sofër t’kangës dy vende thatë,

 

Për krejt Has u ngushtue shteki,

Nuk asht ma me ne Dan Gjeçi,

N’breg t’Valbonës me mall u ula,

S’ban pa Ty, o Shaban Mula.

 

Mban zi Hasi për Dan Djalin,

Meloditë kërkojnë Shabanin,

Flladi i kangës mbi Pashtrik,

Ooo Shkëlzen: -Mos u merzit.

 

N’perde lidhet melodia,

Varë në mur loton sharkia,

Ah medet, k’shtu ardhka jeta,

Ju lyp syni n’dasma e n’festa.

 

Në pentagram malli pikon,

Zemra dham, jeta vazhdon,

Mes shoqnisë ju kujton Gurra,

O Dan Gjeçi, o Shaban Mula!

 

FJALA E DISA  KOLEGËVE DHE BASHKËKOHËSVE TË TIJ

 

1. Nga poeti Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh

Shaban Mulaj hyn tek ata njerëz për të cilët nuk beson që s’jetojnë më, ndonëse ka vite që kanë ikur nga kjo botë. Jeton si melodi muzikore, si këngë dhe veçanërisht si buzëqeshje e butësi njerëzore. Në të gjallë të tij, Shabanit nuk i dallohej mosha : trupshkurtër , me flokë të pathinjura , gjithmonë i qeshur dhe i gjendshëm për këdo . Për rreth 30 vjet, në çdo festival a aktivitet tjetër folklorik në Tropojë, emri dhe kontributi i tij kanë qenë të spikatur. Ishte i gjithanshëm : instrumentist i klasit të parë, virtuoz në çifteli, sharki, tupan e fizarmonikë . I pazëvendësueshëm në formacionet orkestrale të ansamblit “ Dardania”. Është e paharruar Melodia e kumonëve, ideator i së cilës ishte Shabani dhe që e interpretoi mrekullisht bashkë me Bashkim Kovaçin. Shabani ishte edhe tekstshkrues. Janë të shumta këngët që ka shkruar, muzikuar e interpretuar vetë për ansamblet amatore të vatrës së kulturës e shkollës se mesme në Tropojë, ku shquhej edhe si drejtues orkestre e organizator. Është e paharruar kënga “ Hëngrën dhitë Zylo Kamberin”, muzika e se cilës ka dorën e Shaban Mules dhe të cilën e shoqëroi edhe si instrumentist në festivalin e Gjirokastrës, 1988-të. Mjerisht, shumë e shumë këngë e melodi të tij kanë mbetur të paregjistruara dhe tashmë i përkasin anonimatit. Sidoqoftë, në çdo muze kujtesë për artin folklorik të Malsisë së Gjekovës, emri i Shaban Mulajt shëndrit si një margaritar i rrallë.

2. Nga mësuesi Ndue Vatnikaj – Poet, autor tekste këngësh

Në orët e vona të natës mora një mesazh nga poetja e nderuar motra jonë, bija e nderuar e Tropojës z. Xhane Sherif Imeraj ku më shkruante: Nëse e keni njohur, më shkruaj dy fjalë për djalin e Tropojës artistin Shaban Mulaj...!

Memoria ime filloi punën. M’u kujtua vetja djalë i ri 21 vjeçar kur fillova jetën në qytetin “Bajram Curri”  ku kalova moshën më të mirë të jetës deri sa u bëra 44 vjeç.  Pata fatin që gjatë gjithë kësaj periudhe të shijoj e të ndjek të gjitha aktivitetet artistike të rrethit Tropojës  një nga perlat e artit shqiptarë, me artist, muzikant, valltarë e këngëtarë që kanë lanë gjurmë  historike në artin dhe kulturën shqiptare. Tani do shkruaj disa rreshta për një nga këta artistë për djalin e Tropojës vjetër Shaban Mulën: Si mund të mos e njoh unë e bashkmoshatarët e mijë djalin e Tropojës, mësuesin, instrumentistin, organizatorin, drejtuesin artistik dhe këngëtarin Shaban Mula. Djaloshi trup shkurtër, gjithmonë me fytyrë të qeshur, artist i fjalës, artist si instrumentist por dhe si këngëtar.I madh  në art sa të duket pak ta krahasosh me malin e Shkelzenit. Atë e njohën artdashësit tropojanë në të gjitha zonat e rrethit, e njohën në shfaqje, në skena  në  takimet tradicionale artistike, në festivalet e rrethit dhe në ato kombëtare. E njohën Kuksi, Hasi, Puka, Mirdita, Shkodra e Tirana. E njohën Kalaja e Gjirokastrës e ajo e Beratit në Festivalet Folkklorike kombëtare ku Tropoja çdoherë ka zënë vende nderi si fituese e Festivalit, disa herë vende të dyta edhe është nderuar edhe me çmimin “Laurat i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës” në shumicën e këtyre festivaleve ka marrë pjesë dhe Shaban Mulaj si instrumentist e si këngëtar ku gjithmonë u ka ngrohur dorën shikuesve me duartrokitjet për intrepetimin virtuoz të Tij.

Shaban Mula u largua i ri nga kjo jetë por siç thotë populli –“Artistët lindin kurë vdesin” edhe ky artist ka lënë mbrapa pavdeksinë me jetën e Tij artistike. Melodinë e Tij me çifteli do ta përcjellin vitet dhe do rrjedhë në historinë e artit e shoqëruar me rrjedhën e ujrave të Valbonës ndërsa si këngëtar qëndron në lartësinë e Shkelzenit bashkë me shumë muzikant, këngëtar e artist kollos që i lindi dhe i rriti Tropoja për t’i bërë të pavdekshëm në altarin muzikës, këngës, valles e artit shqiptar.

 3 . Nga mësuesi Bajram Ymeri – Artist, instrumentist

Me Shaban Mulen kam punuar 20-vjet, ndaj po jap opinionin tim. Ishte viti 1973, mbarova Institutin e Arteve dhe në gusht të atij viti u thirra për përgatitjet për festivalin folklorik kombëtar që mbahej në Gjirokaster. Drejtuesi i orkestrës folklorike Ali Mula më dha në dorë një sharki ; kësaj do t`i biesh- më tha. Asht sharkia e Ram Halilit -provoje! s'asht e bukur po ndrron mirë me tha Alia. Pak më vonë mësova se Ram Halili ishte baba i Shaban Mules. Me këtë dua të them se Shaban Mula ishte në një familje muzikëdashës. Shabani u ingranua në sektorin e kulturës deri në fund të jetës së tij. Mori pjesë në gjithë festivalet kombëtare si instrumentist e këngëtar. Nuk kishte shkollë artistike por talenti i tij ishte igjithanshëm. Për mbi 20 vjet ishte përgjegjës i Shtepisë kulturës në Tropojë, ku punoi shumë mirë me talentet e reja si kërcimtarë, instrumentistë apo këngëtarë. Ishte njeri mbi të gjitha, i respektueshëm e plot humor. Është ndër rapsodet e njohur brenda e jashtë vendit e me të drejtë nderohet e këndohet nga rapsodet e sotëm.

4. Artisti, valltari dhe koreografi , Shkelzen Mustafaj

Artistin e ansambelit “Dardania” të Tropojës, të paharruarin Shaban Mulaj, e kam njohur prej shumë vitesh në aktivitetet, koncertet,  festivalet të  klasës puntore,  Festivalin Folklorikë të  Gjirakostrës, si një artist të shkelqyer në instrumentin e çiftelisë, një maestro i përkryer. Një shok, një artist, një familjarë shëmbullor. Shaban Mulen ndër vite e kanë  njohur jo vetëm artistët e ansamblit “Dardania” të  Tropojës,  por edhe shumë artistë të ansambleve të rretheve të tjera, ku takoheshim në festivale,  si ansambli folkorik i Tiranës, Shkodrës, Pukës, Dibrës, Burrelit, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Fierit, Gjirokastërs Sarandes, Korçës, Vlorës ,tërë ansablet folklorike e kanë njoftë artistin Shaban Mula si një mjeshtër të shkelqyer.  Shabani, ka ngelur përherë në mendjet dhe zemrat tona.  Artistat kurrë nuk vdesin ata jetojnë në mesin tonë gjithmonë.

5. Artistja, kërcimtarja dhe koreografja,  Hajrie Haklaj

Nuk është e lehtë të flasësh për një mjeshtër të madh të artit shqiptar që sot mungon në mesin tonë, që ka lënë pas kujtime dhe vepra të shumta, si Shaban Mula, nga Tropoja e vjetër. Në gjitha festivalet dhe takimet e organizuar nga ansambli i Tropojës ka marrë pjesë, si një artist që asnjëherë se kurseu vetën, të ishte pranë gjitha veglave muzikore dhe i kudondodhur. Ishte mjeshtër i lindur, këngëtar, krijues, aktor, humorist. Një shok i sinqertë, një mik për të gjithë. Ai nuk bënte dallime, të gjithë i donte dhe i respektonte. Nga profesionalzmi dhe duartë e tij të arta dolën shumë artistë, që vetë ai i mesoi dhe drejtoi drejtë skenës. Shaban Mula do kujtohet brez pas brezi,  si një njeri dhe artist me shumë vlera. I paharruar qoftë kujtimi i Tij. Me respekt Hajrie Haklaj.

6. Nga mësuesi dhe publicisti, Gëzim Prengzi.

Shaban Mulaj,një nga virtuozët e çiftelisë në Tropojë.

Eshtë evident suksesi i Ansamblit Folklorik të Tropojës në festivalet folklorike kombëtare e pjesëmarrje të tjera deri në Festivalin Ballkanik të Ohrit e në Diasporën Shqiptare.Kjo vjen si rezultat i një tradite të pakontestueshme  të artit tropojan,i ruajtur e kultivuar me fanatizëm nga strukturat e artit dhe artistët tanë të mrekullueshëm që e përcjellin nga brezi në brez duke  e bërë këtë art pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare e botërore së shpejti. Sa herë ndjekim interpretimet e këngëtarëve të Tropojës, Fatime Sokoli, Gëzim Nika, Fatmira Breçani, Zef Beka, sa herë shohim shoqërimin orkestral të kcimeve të Tropojës a meloditë instrumentale popullore,shumë lehtë mund të dallosh ata instrumentistë të zgjedhur për ta bërë atë sa më të afërt me shijet dhe identitetin e zonës sonë.Ndër këta spikati për shumë vite instrumentisti virtuoz i çiftelisë, një artist i lindur, Shaban Mulaj. Ai sikur kishte lindur për këtë instrument  popullor, por jo vetëm për këtë.Ai  megjthëse nuk kishte mbaruar një shkollë muzike, muzika i buronte nga shpirti duke ia kushtuar asaj gjithë jetën. Pra ai do ishte i pranishëm në orkestracionet që shoqëronin pjesët muzikore të ansamblit, i zgjedhur nga drejtuesit e orkestrës si Ali Mula, Martin Progni etj. Ai çiftelinë e përdorte aq bukur sa të dukej sikur ajo nuk ishte në duart e njeriut, por binte si me magji. Përveç vlerave të tij si instrumentist, Shaban Mulaj për shumë vite u muar me organizimin e grupeve artistike të kooperativës së Tropojës në konkurimet e rrethit, gjithashtu ai përgatiste edhe grupin artistik të shkollës së mesme Tropojë e cila konkuronte me dinjitet përkrah gjimnazit "Asim Vokshi",B.Curri  e shkollave të tjera të mesme të rrethit. Ai me aftësitë e tij evidentoi dhe i futi në jetën artistike edhe disa instrumentistë e këngëtarë të cilët veshi i tij i përzgjodhi si talente.Shaban Mula me lojën e tij instrumentale në çifteli tërhoqi vëmëndjen edhe të mjaft  këngëtarëve të tjerë nga rrethet e Veriut. Shaban Mulaj do të kujtohet gjatë për artin dhe virtuozitetin e tij në shërbim të folklorit e traditës popullore tropojane.

7. Nga libri “Tropoja Djep Kulture”- Selim Matoshi (2008)

Shaban Mulaj është një ndër talentet e rralla. Ai është njohës dhe mjeshtër në interpretimin e instrumenteve popullore. Këngëtarë  dhe valltar i talentuar. Shaban Mulaj ka një karrierë të sukseshme në tërë lëvizjen artistike të zonës në Tropojë  dhe të rrethit shtrirë në kohë në dekada. Ai është autor i shumë krijimeve të reja në këngë e në valle , si dhe i shumëkërkuar e i dëshiruar në çdo mjedis në Tropojë e në Rrafshin e Dukagjinit. Është dalluar gjatë e mbas luftës në Kosovë, duke ndihmuar grupet artistike në Deçan.

 

I THJESHTË DHE ARTIST I MADH

 

Tropojanët burra e gra, djem e vajza ndër shekuj kanë trashëguar dhunti plot delikatesë të hollë shpirtërore e aftësi për të krijuar perla të vërteta arti. Nga thellësi të tilla janë përcjellë deri në ditët tona vargje e melodi të mahnitshme me plastikë e figuracion koreografike të shkëlqyer, që shprehin hove e ndjenja nga me të fuqishmet e gjerë të me delikatet; ja, pikërisht nga të gjithë ata të thjeshtit dhe artistët e mëdhenj popullorë njëkohësisht. (Vath Koreshi)

Dhe vërtet, sot në Tropojë, janë me dhjetra artistë të zhanërve të ndryshme që janë vlerësuar dhe nderuar me tituj të lartë, për të tillë art që shkruan edhe penëndrituri, shkrimtari i shquar Vath Koreshi . Po kaq dhe shumë më shumë artist të tjerë meritojnë kujtesë, vëmendje, vlerësim, nderim dhe me plot të drejtë akordim titujsh të merituar për punën e tyre të madhe, kontributin e tyre të paçmuar në ruajtjen, ndërtimin, zhvillim dhe afirmimin e folkut, artit dhe  kulturës së trevës së Malsisë së Gjakovës, për artin e papërsëritshëm të tyre. Padashur të shprehem në bazë nivelesh, arritjesh, pozicionesh apo kontributesh të secilit artist, siç zakonisht që priremi të vlerësojmë kryesisht disa figura, e të sillemi vetëm rreth disa emrave pavarësisht kontributit vërtet të madh të tyre, mendoj se asgjë nuk arrihet vetem, si dhe pavarësisht se kush ishte apo është në krye të veprimtarisë, organizator apo në qëndër të skenës, mendoj se çdo arritje duhet të përpjestohet në mënyrë të drejtë, pa mohuar apo harruar asnjë artist të vetëm i cili  ka dhënë  kontributin e tij në themelet dhe ngritjen e këtij tempulli të shenjtë të identiteti tonë. I tillë mes tyre, me artin, mjeshtërinë, thjeshtësinë dhe vetmohimin e tij të pashoq, ishte dhe artisti i talentuar Shaban Mulaj, që sot vazhdon të jetë në mesin tonë me veprat e tij. Një njeri i thjeshtë dhe artist i madh popullorë, njëkohësisht.

Për mbi  tre dekada me talentin dhe mjeshtërinë e tij, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në ruajtjen, kontributin, pasqyrimin dhe pasurimin e vlerave më të mira etno-kulturore, artisti Shaban Mulaj, gjerë më sot është vlerësuar nga:

Këshilli i Komunës Tropojë, dhënë titullin: “ Qytetar Nderi i Komunës Tropojë”, (pas vdekjes), me motivacionin: Për kontribut të veçantë në përparimin e artit dhe të kulturës në komunën Tropojë dhe më gjerë.”

• Komuna e Deçanit , i akordoi një  “MIRËNJOHJE” artistit Shaban Mulaj , (pas vdekjes) me motivacionin : “Në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin dhënë në organizimin e veprimtarive në përgjithësi në komunën e Deçanit dhe kontributin profesional në fushën e muzikës në veçanti “    

• “ MIRËNJOHJE “ akorduar nga: Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, së bashku  me disa shoqata kulturore, me motivacionin: “ Për ruajtjen e vlerave kulturore artistike në Festivalet  kombëtar dhe për një interpretim të shkëlqyer.”

Nuk ka çmim as titull më të madh se ajo që të dhuron djersa, mundi dhe puna jote. Nuk ka çmim më të madh sesa të arrish të fitosh zemrat e artdashësve. Por gjithashtu, asnjë titull sado i lartë nuk do i rrinte ngusht emrit dhe veprës së  artisti Shaban Mulaj . Në nderim të artistit Shaban Mulaj ,  fare mirë do mund të jepej një çmim , në ndonjë konkurs muzikor " Çmimi “Shaban Mulaj" , apo dhe ndonjë vlerësim tjetër.

 

I PAHARRUAR QOFTË EMRI I TIJ !

----------------------------------------

 

- Ky shkrim monografik iu kushtua jetës dhe karrierës artistike të artistit të paharruar Shaban Mulaj. Një shkrim përmbledhës dhe i shtrirë në detaje nga jeta dhe veprimtaria artistike e këtij Artisti , në bazë të burimeve dhe informacioneve të cilat u përdorën për pasqyrimin sa më të plotë. Ky shkrim do përdoret edhe si skenar në dokumentarin i cili mendohet të realizohet së shpejti rreth veprës artistike të artistit Shaban Mulaj, nën drejtimin e z. Kristaq Janushi, ish Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës, në Tropojë, tashmë regjizor dhe opertator i disa dokumentareve.

-Të dhënat dhe informacionet janë marrë nga familjarët e personazhit të këtij shkrimi monografik, në veçanti nga vajza e tij, Mirjana Shaban Mulaj ,  si dhe nga libri " VEÇ FRESKIA E BJESHKËVE TË MIJA" , në hyrjen dhe parathënien e tij, ku shkruajnë z. Kristaq Janushi, studiuesi Aleks Dushi dhe z.Rrustem Hoxha. Si burim është përdorë edhe libri " Tropoja Djep Kulture" , me autor arsimtarin, drejtuesin dhe studiuesin e paharruar Selim Matoshi.

 

- Disa fotografi janë siguruar nga familja, por edhe janë bërë kërkime të shumta në youtube apo gjetkë për të pasqyruar sa më shumë veprimtarinën e tij artistike.  

 

-Falenderoj shumë Mirjanën, vajzën e artistit Shaban Mulaj, për bashkëpunimin e saj, emocionet dhe ndjesitë e forta që na është dashur t`i kalojmë së bashkë, risjelljen e kujtimeve të bukura por dhe atyre që përmbanin dhimbje njerëzore brenda tyre.

 

- Falenderoj gjithashtu edhe gjithë miqtë e nderuar, kolegët, bashkëkohasit e artistit Shaban Mulaj, që pranuan dhe sollën fjalën e tyre (nëpërmjet rrjeteve sociale) emrat e të cilëve janë përmendur më lart.  Ku do veçoj, poetin, Mjeshtrin e Madh, të nderuarin Hamit Aliaj, me të cilin kam biseduar dhe jam konsultuar disaherë rreth këtij shkrimi,(goxha kohë i kam marrë) si dhe për sugjerim e tij për  librin “ Tropoja djep kulture” (të cilin e huazova për dy-tre ditë nga Shtypshkronja 'Kristalina-KH' , të cilët i falenderoj shumë…) ku nga ky libër arrita të siguroj disa informacione të sakta dhe pjesë nga ky libër të cilat e pasuruan edhe më shumë këtë shkrim.   

 

 

Realizoi:

Xhane Sherif Imeraj

(E nderuar dhe e kënaqur për realizimin e këtij shkrimi, idenë e të cilin e hodha para disa kohësh dhe arrita ta përfundoj tani, gjithmonë në kërkim të informacionit për realizimin sa më të pasur dhe sa më të arrirë që të mund të nderoja ashtu siç duhet emrin dhe vepren e artistit Shaban Mulaj)

                                                                                              Nëntor 2020



 





























Nëntor 2020 - Tiranë

Botuar tek:
Portali Zëri i Shqiptarëve – VOAL







No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.