Sunday, December 2, 2018

UDHËTUAR KISHTE KOHA



- Cikël poetik nga Xhane Imeraj



ZOT, VEÇ MALET ISHIN PO ATA
E vrenjtur koha,
Hidhëruar koha,
Përmalluar koha,
Udhëtuar kishte koha.
Ec e ec
E aty se aty.
As aty jo;
Koha s’po njeh më as orët e veta…
Heshtur lundronte lumi
Duke përplasur vetminë e tij
Brigjeve të thepisura.
Shtratit konturzgjeruar
Malli ka zënë lëmyshk,
Në thellësi të shpirtit,
Aty ku mbytet loti…
Vendlindja si dikur,
Në çdo cep sot,
Kush të na thotë
Mirë se erdhët?
Kujt t’i themi
Mirë se të gjetëm?
Kujt t’ia shprehim mallin,
Kujt t’ia dëgjojmë hallin?
Ky mall veç u shtua…
Piskamë e kujtimeve
Thyente muret akullnajore të vetmisë.
Tjetër vendlindje kërkonte shpirti,
Atë që kishte lënë dikur.
Shtëpitë,
Kullat tona
“Medet” sa ishin plakur!
Zot, veç malet ishin po ata…
I FALEM TOKËS
I falem tokës që më lindi,
Kombit tim, Shqipëri
Që më bën të ndihem kaq krenare
Me gjakun ilir!
Nderim pragut, gjakut,
Djepit që më rriti,
Tokës së bekuar,
Diellit që më ndriti!
I përulem familjes, fisit,
Bytyçit, gjithë krahinës,
Bjeshkës së Sylbicës,
Gusanit dhe Gjorovicës!
I përulem ujit të kulluar,
Kroit të Ehllit të fshatit tim,
I falem maleve të Tropojës,
Valbonës pa shterim!
I falem majës së Shkëlzenit
Që shpirtin ma ndriçon,
I falem gjuhës shqipe
Që kaq bukur tingëllon!
I përulem historisë së Atdheut –
Një jetë me plagë të hapur,
Flamurit kuq e zi
Ku të gjithëve na bashkon gjaku!
Nderim të parëve tanë,
Themeleve të qëndresës,
Nderim traditave tona,
Urtësisë, trimërisëm besës!
I falem gjithë foleve
Të shqipeve të malit,
I falem tokës, detit, qiellit
Aty ku rrënjët ka shqiptari!
SHTËPIA IME
Shtëpia ime,
Kaq vite u bënë,
Vite të largët,
Vite të akullt,
Arrati fati,
Mergim vaji,
Lot që s`pushon!
Shtëpia ime –
Fole kujtimesh,
Fëmijëria ime,
Hapat e mi,
Oborri im,
Vrapi i jetës,
Mall në gji!
Shtëpia ime,
Themelet e mia,
Oxhaku im,
Djepi i shtatit,
Pragu i nderit,
Kullë e gurit,
Krenari!
Shtëpia ime,
Kryelarta ime,
Fisnikja ime,
Mikpritësja ime,
Bajraku im,
Trualli im,
E imja histori!
Shtëpia ime,
Kulla ime,
Mall për ty!…
DJEP DHE QIELL
Ah, vendlindje,
Vendlindje!
Më dhemb shpirti kur të shikoj
Ato pak të meta,
Shumë të meta,
Gjithë të meta…
Por unë dua të të shikoj ndryshe,
Ashtu siç të dua,
Me shpirtin që të adhuron.
Ah, vendlindje e afërt,
E largët një jetë!
Në zemër më fle,
Në mendje zgjuar më rri,
Frymë e gzistencës
Ti më je!
E bukura,
E vrazhda,
E molizura vendlindje!
Malli i dyfishtë i shpirtit tim
Këngë dhe vaj!…
Ah, Ah, vendlindje!
Sa mall,
Sa dhimbje ndjej
kur jam larg!
Zogjt e shtegut
Bashkë me erën
që ikën ngufosur
Më thonë;
Vendlindja ka ndryshuar,
Mplakur,
Thinjur
Në vetvete rrënuar
Braktisur…
Oh, oh zë i largët,
Fëmijëria ime,
Ti mos më lër,
Aty rri,
Aty më prit
Gjithmonë,
Gjithmonë do të vij aty
Si fëmijë
Vetëm si fëmijë naiv
Që e lumturon gjithçka e jotja!…
E dua thjeshtësinë tënde
Skaj më skaj ,
Një lule gladiolë
Me bukuri të brishtë,
E para në pranverën larë bore,
Një rreze dielli
Oh, si aty askund tjetër!
Një lumë ushtin malesh,
Një kodër mes fushe,
Guaska e shpirtit më je,
Djep dhe qiell!…
MALL PËR JU LIVADHET E MIA
Më zgjoi mallin e pa fjetur
Ky livadh sot i kositur.
Aroma e sanës më çoi n’vendlindje,
Mes livadheve në Fushë të Bytyçit.
Mall për ju, livadhet e mia,
Fushë bujare, det jeshil,
Gjallëria e viteve, atyre viteve, vite
Kur mes jush rendja me vrapin tim.
Tek humbisja barishtes së njomë,
Në ylberë lulesh plot brezare,
Plot me bar, tërfil dhe jonxhë,
Tokë e bekuar plot thesare.
Atje ku kositësit nën hije të lisit
Cokasnin kosat, kull, çokiç e rrasë,
Renditeshin livadhit bash si korilat
Nga një otkos për çdo kostar…
Ku shtrohej sofra në mes të fushës
Plot me bereqete e bekim e mbushur,
Hambari tokës nën qiell të hapur,
Jetë modeste në thjeshtësinë e lumtur.
Më zgjoi mallin e përlotur
Aroma e sanës, bar i kositur,
Për një çast si zog fluturova
Në qiell të kthjellët,
Mbi Fushë të Bytyçit…
BËHU I EGËR SI MALLI IM
Ah, vendlindje,
Qiell dhe tokë,
Vullkan i shpirtit mërguar!
Mall po kam sa lotin s’po e ndal,
Rrugët e ikjes kam mallkuar.
T’lutna fort, o Gjogu i bardhë,
Merr yrysh për në ato vise
Turravrap ti pa u ndalë,
Shpat më shpat,
Brigje më brigje!
Bëhu i egër si malli im
Që furishëm shkelmon kraharorin,
Vrapo rudinave të bjeshkës sime
Në atë Sylbic të Bytyçit
Bekuar prej Zotit..!
SHTËPIA IME ERDHA
Shtëpia ime, erdha,
Më shikon, erdha përsëri!
Kam vite që mallkoj rrugët në ikje,
Sot i bekova, më kthyen tek ti,
Më solli malli që rrokulliset
Lumit të zharitur për ty.
Shtëpia ime, erdha!
Këtu më rrinte mendja, më rrihte zemra,
më dhimbte shpirti.
Këtu sot qerpikët po shkundin mall,
Loti im, loti yt,
E njëjta re në të njëjtin qiell,
Po ajo dashuri…
Shtëpia ime, erdha!
Pragu u mallëngjye kur më pa,
Dyert dhe dritaret dyshuan në jam e vërtetë,
Kujtimet më morën përdore,
Si dikur nëna ime
Qoshe më qoshe më brodhi kujtimet,
Ëndrrave të mëdha të atëhershme
Thurur me rreze dielli,
Naivitetit të çiltër
Në ag të jetës.
Shtëpia ime, ika!
Me vete oxhakun tënd e mora,
Ta mbaj ndezur në shpuzë të shpirtit,
Të mos ngrij në dhe të huaj…




  Botuar tek:
  Portali Zëri i Shqiptarëve – Voal
                 By  | May 19, 2018 

https://www.voal.ch/udhetuar-kishte-koha-cikel-poetik-nga-xhane-imeraj/

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.