--Agim D. Merturi
Libri autobiografik i titulluar “SHENGJERGJI Katundi ëm”, është njëri prej tre librave që ka botuar gjer me tani poeti, shkrimtari dhe piktori i njohur nga Nikaj-Merturi, z. Agim Demush Merturi.
Mund të them se kam pas kënaqësinë t`i lexoj që të tre këta libra, të cilët me janë dhuruar me shumë dashamirësi nga vetë autori. Libri i parë, poezi për fëmijë “LISI E GURI” (2010), libri i dytë me ese dhe skica letrare “HIJA e THYER” (2011), si dhe librin autobiografik “SHËNGJERGJI Katundi ëm”, (2022). Të tre këta libra përbëhen nga tematika të ndryshme nga njëri - tjetri, botuar në vite të ndryshme, tjetër frymëzim dhe ndjesi nga autori, por gjithsesi, lehtësisht vëmë re se një linjeje të përbashkët nuk ka arritur t`i shmanget dot, asaj të krenarisë dhe mallit për vendlindjen.
Të marresh e të shprehesh rreth asaj që një autor ka shkruar, aq më shumë rreth një libri ku ai shkruan për vendlindjen e tij dhe mallin ndaj saj çdo gjë të bukur që ka përjetuar dhe që i kanë rrëfyer, apo i është referuar burimeve të besuara, nuk është e lehtë…përpos të përsëritesh fjalët e autorit. Vendlindja e gjithsecilit mbetet e dashur në çdo gur dhe ferrë të saj, e aq më shumë malli dhe kujtesa kur je larg saj prej vitesh.
Vetë ky libër mban për titull emrin e katundit ”SHËNGJERGJI Katundi em”, fshatit ku autori lindi. Si mund të jetë ndryshe një libër që zgjaton rrënjëve të vendlindjes të pa shkëputura shpirtërisht e në kujtesë gjithmonë, sado që fizikisht jeta ka adresat dhe stacionet e saj.
I ndërtuar nga shumë kapituj brënda të cilëve duket se autori e ka shpërngulur nga Nikaj-Merturi të gjithin atë fshat duke e sjell për lexuesit këtu brënda kopertines. I gjithë fshati Shëngjergj në një tablo të shkruar thuajse gjithë çfarë ìshte, çfarë është e çfarë ka mbetur, thellësisht shpirtit, kujtesës së ëmbël, të dhëmbshme, të përmallshme por edhe me një krenari të ligjshme për vendlindjen e tij.
Ky libër mund të them se është një trashëgimi jo vetëm për autorin, njerëzit e tij te afërt, bashkëfshatarët apo dhe gjithë krahinen e Nikaj -Merturit, por edhe për të gjthë ne që jemi larguar nga fshtrat tona, nga vendlindja jonë….. MALLI I VENLINDJES ËSHTË KUDO I NJËJTË. Ky libër i shkruar nga autori large vendlindjes , tashme prej vitesh me banim në Tiranë, flet shumë dhe na sjell të gjithëve ndërmend ato fshatrat tona të bukura mes maleve që sot po kthehen në vende të vetmuara, gërmadha strukur gjirit të natyrës.
Një libër voluminoz i ndarë në rreth dymbëdhjetë kapituj, secili me rëndësinë dhe tematiken e tij, duke filluar me përshkrimin e pozicionit gjeografik si dhe formimin e fshatit Shëngjergj, vllaznitë e këtij fshati. Në vijim flet me krenari rreth arsimit dhe kulturës, intelektualet e kesaj zone, folklorin e pasur. Sjell mallin e vendlindjes, duke folur për disa relikte e pjesë të veçanta të fshatit, njerëzit me shumë vlera, kullat, fisin, burrat e maleve si Tunxh Miftari etj. Përshkrime piktoreske të natyrës së fshatit Shëngjergj, ndryshimet e padeshirueshme, kohën e kooperatives bujqësore, kuadrot drejtues të rëndësishëm që kanë dalë nga ai fshat. Përshtypjen e një banori tashmë të migruar. Shumë kujtime të jetës së tij në fshat të tematikave të ndryshme, duke bredhur cep me cep me kujtesën e tij, ngjarje më ngjarje, duke rikujtuar aq shumë bashkëfshatarë dhe brezni të atij fshati. Patjetër në këtë kujtesë është edhe nëna e tij Lule Beqir Pjeternikaj që në moshën 65-vjeçare mesoi abetaren, pati vullnetin e mirë dhe mësoi të shkruante e të lexonte. Flet për poetët, shkrimtarët, artistët, sportistët, intelektalët, për të gjithë dhe gjithçka. Flet për plagën e sotme dhe të hershme të shoqërisë sonë- largimet nga vendlindja pas vitit 1990.
Në brëndësi të librit herë pas here lexuesi mund të lexojë edhe poezi që autori A. Merturi ua ka kushtuar banorëve të këtij fshati, disave prej tyre. Gjithashtu libri ilustrohet aty këtu edhe nga disa vizatime, piktura dhe foto të realizuara nga vetë piktori Agim Nikaj.
Gjithë një libër kushtuar fshatit tē tij, ku shkruan dhe përshkruan çdo gjë me ngjyrat e realitetit qe nga drita e bishtukut e gjer më sot në epoken digjitale. Pa harruar të ftojë e të bëjë thirrje të gjithëve që të mos harrojmë trojet e të parëve, kullat tona, vendlindjen.
Duke lexuar librin, secili nga ne e gjën veten të përfshirë në të, duke lartësuar vendlindjen, të parët, të afërmit, gjitheçka kemi dashur e duam pavarësisht çdo rrethane.
Duke e falenderuar për vlerat që përcjell, dhe duke i uruar jetë të gjatë dhe shëndet poetit, shkrimtarit dhe piktorit të njohur z. Agim Merturi (Nikaj) dhe duke qendruar ne pritje të botimeve të tjera nga ana e tij me po kaq vlera.
Xhane Sherif Imeraj
Tiranë
Janar -2025
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.