NGA XHANE IMERAJ
08/05/2022
Botuar tek: " Revista Letrare "
∗∗∗
N’tymnaj t’murgt’
n’heshtje t’shurdht’
n’koh’ t’zymt’
e n’qell pa yje
ti mos u mbyll
n’kllapa t’errta
t’fatit…
bane drit’
me njat shpirtin tan,
kthjelle qellen
e kurr’ mos dysho
se yjet jan’ shuar
gjersa dhembja
si eshka digjet n’ty,
gur e uror
jetës t’pa fikme.
Kacavjerrur dhimbjes
Ma keq se zogjt’ n’huti t’jezert’
kan mbet kujtimet tona,
kacavjerrur dhimbjes,
vend ku t’prehen nuk kan’
veç n’plag t’shpirtit
aty rënkojnë bashkë për kohën
që shkoi si mos t’ish.
Migruar, mërguar, larguar,
tërbuar, dreqnuar,
krejt çka patëm rreth shpirtit
e shndrruem në hiç…
T’kishim qysh
edhe shpirtit n’drrue vend
treqind herë i kishim…
Shyqyr qielli asht shumë lart
e s’mun e mrrina
me dreqnu…
∗∗∗
…çmendu erë,
çmendu e na merr me vete,
ashtu si flokët na i çmend lirie,
…të tillë liri kemi në shpirt
të çmendur e të pa cak
zgripeve të jetës, si kalë i egër
pa fre, pa kapistall…
…çmendu erë,
çmendu, të çmendemi lirie…
…çmendu…
u çmendsh e marrsh malet…
…arsyet e paarsyeshme
nuk mund të na mbajnë në çark…
∗∗∗
Në djall e gjitha…
me zeherin e kësaj bote
zeher për zeher
të pijavemi
e dhimbjet t’i harrojmë
të humbasim diku
atje ku nuk na njohin
as njohim veten
poshtë gjetheve vjeshtuke
se edhe ato janë pijavë
e kanë ra përtokë
pa pikë shpirti…
Fundja…
kush pat shpirt?!
Të qajmë e të qeshim njëherazi,
gjer sa të përmendemi
në zeherin e realitetit.
…të kthjellemi
duke pirë kupa me fund,
se fundi
…është esëll.
Rvesita Letrare
https://revistaletrare.com/blog/2022/05/08/cikel-poetik-14/?fbclid=IwAR1dEQU0nm9RTkJWOu2B3SGGXtwVNqMelkCIlsLoO0QLZEPj6p4qJnoEkSk