Thursday, November 22, 2018

Një roman triller mjaft tërheqës



RECENSION – nga Xhane Imeraj   

                                       


Nuk më ndodh shpesh të lexoj libra triller, por kur zë t`i lexoj, e tashmë janë bërë disa të tillë, se heq dot nga dora pa e përfunduar së lexuari brenda dite, qoftë ai një libër edhe me 316 faqe , siç ishte libri me titull “Ajo e Errëta” e autorit të ri në moshë por jo dhe aq si autor, Enkelejd Lamaj.

→ Si fillim, le të ndalemi pak tek ky zhanër/pak historik:

“Odiseja”, e fund shekullit të VIII p.e.s. njohur si një nga dy poemat epike greke të lashta, që i atribuohen Homerit, është një nga tregimet më të vjetra në botën perëndimore dhe konsiderohet si një prototip i hershëm i trillerit.

Siç duket qartë, një fushë apo thënë ndryshe një zhanër me zanafillë shumë të lashtë. Një zhanër shumë i rrahur nga pena dhe imagjinata e autoreve pothuajse në mbarë botën, që me kalimin e viteve është pasuruar edhe me shumë nën-zhanër të tjerë, të cilët shpeshherë i mbivendosen njëri-tjetrit.

Zhanëri triller, është një zhanër i letërsisë që zakonisht përfshin komplote me ritme të shpejta, skena të shumta veprimi dhe zhvillim të kufizuar të karakterit. Trilleri karakterizohet dhe përcaktohet nga situatat që krijohen, duke i dhënë lexuesit apo shikuesit ndjenjën e pritjes, të papriturës, heshtjes dhe ankthit.

Sot romanet e trillerit ofrojnë një gam të pasur letrare duke përfshin një larmi të gjerë tematikash - ligjin, spiunazhin, veprim-aventurën, botën e krimit, mjekësinë, policinë dhe krimin, romancën, historinë, politikën, teknologjinë dhe fenë. Si shembull të hershem (pa shumë përzgjedhje) të këtij zhanëre në literature mund të përmendim, “Lufta e botëve” nga Herbert George Wells (1898) një roman i shkencave fikse , një triller klasik, i cili ishte një nga trillert pioniere në botë, duke futur këtë zhanër pothuajse të panjohur në atë kohë, dhe më pas për tu mirëpritur në mbarë botën. E kështu plot e plotë libra të tjerë triller nga autor të ndryshëm, atëherë e gjer më sot.

Theksoj se një tjetër zhanë i përngjashem me zhanerin triller ku jo rrallëhere mund t`i ngatërrojë lexuesi, por dhe vet autori mund te bëjë kalimin nga njeri zhaner tek tjetri ne disa moment disi pa kuptuar, është zhaneri horror. Faktori i parë që dallon të dyja zhaneret është se një triller është më psikologjik dhe kërkon më shumë mendime dhe shpjegime se çfarë ndodh brenda një romani apo filmi, ndërsa një horror kryesisht ka gjak dhe gërmadha me veprime të pakujdesshme të dhunës. Zhanëri thriller në të vërtetë paraqet një organizim më praktik dhe realist. Në zhanërin horror tema devijon nga realiteti. Shpesh ky zhanër përfshin më shumë elemente mbinatyrore sesa triller. Ka më shumë gjak, dhe ka më shumë viktima të tmerrshme. Thënë më shkurtimisht, zhanër triller u krijua në mënyrë që të "emocionojë" lexuesit apo shikuesit. Në të kundërt, librat apo filmat horror janë projektuar për të "tmerruar" lexuesit apo shikuesit e tyre. Kjo gjithmone brenda kuadrit letraro-artistik të një libri apo filmi. Edhe pse duhet pranuar pra siç e citova dhe më lart se ditët e sotme zhanret sa vijnë dhe shkrihen me njëri-tjetrin.

Por nga ana tjetër, duke e sjellur fjalën më afër, e pikërisht tek ne lexuesit shqiptarë, të vjen keq kur shikon se ky zhanër është kaq pak i trajtuar në Shqipëri, veçanërishit nga autoret. Mungesa e këtij zhaneri në krijimtarinë e shkrimtarëve tanë e varfëron si letërsinë shqiptare ashtu dhe lexuesit shqiptar.

Vetëm pak ditë më pare, mbase tre-katër ditë përpara se të lexoja librin” Ajo e Errëta” të shkrimtarit Enkelejd Lamaj, lexova një tjetër liber triller me titull -“ TË LUASH ME ZJARRIN”, (-288 faqe, të cilin po ashtu e lexova brenda dite), nga mjeshtërja e romaneve thriller-Tess Gerritsen-“. Nuk ka vend të heq paralele mes ketyre dy autorëve dhe librave të tyre, secili nga autoret më dhuroji kënaqesin e të lexuarit breda të njetit zhaner por në mënyren dhe veçantin e tij. Por shoh hendekun midis mini-botës tonë dhe botës së botëkuptimtë ku jeton autorja, brenda botës së përbashkët. Shoh terrenin e thyer me tatëpjetat tona rrokullimit të hiçit, jo gjithmonë por shpeshherë, ama mjaftueshem sa për të mbetur dritëzbehur në hije. Shoh letërsine tonë, autoret tanë , librat shqip, si dhe sa përkrahen dhe vlersohen në vendin tonë. Sa hapësirë zënë dhe sa mundësi kanë për tu afirmuar dhe për të marr vlersimet e merituara nga lexuesit dhe kritika e mirëfilltë, për të mos mbetur gjithmonë në të njetat ujëra lexueshmërie.

Larmia është thelbësore për një ushqyerje të shëndetshme dhe të ekuilibruar, theksojnë mjekët. E kjo në mënyrë figurative vlen dhe për zhanerte e ndryshme të letërsisë dhe “menus” së pasur që duhet t`i shërbehet lexuesit për një shëndet mendor sa më të mirë. Librat e çdo zhaneri kur ata janë cilësorë, janë pasuri që i dhurojnë thesare dije trurit tonë të ndërgjegjshem, të arsyeshem dhe mendimtarë. Librat triller mund të them se janë ushqim dhe sport njëkohësisht , pse jo “cirik” në arenën e imagjinatës tonë.

→ Le të kthehem më konkretisht tek libri triller që `ngacmoj` penën time për sa më lart dhe në vazhdim…

“Ajo e Errëta” një roman triller mjaft tërheqës që të mban të lidhur pas çdo kapitulli, ku autori Enkelejd Lamaj i ka përmbledhur aq mjeshterisht, e shkurtimisht, në mënyrë imponuese pse jo dhe lehtësuese me ato ndarjet e shpeshta ku secila pjesë brënda të tërës mbart qartësisht imazhe dhe figura të trajtuara aq artistikisht a thua po shikon një film, ku përcjellin në mënyrë direkte dhe të tërthortë ndjenjen e pritjes dhe të papriturës, heshtjes, ankthit, hije, fantazma, zëra, shpirtra, emocione që të bëjnë të mbash frymën e të heshtës brenda heshtjes së mistershme duke hyrë përmes leximit në imagjinaten jo pak të bukur por edhe të `llahtarshme` disi horror në ndonjë pjesë të romanit, të autorit. Pa dashur të shuaj aspak kureshtjen e lexuesit që akoma nuk e ka lexuar këtë libër, mund them vetëm një gjë rreth përmbajtjes së tij në mënyrë figurative… Një roman që fillon gati gati qetësisht si një lumë pakëz po pakëz fare i trazuar, vazhdon me lëkundje dhe turbullira të herëpashershëme dhe përfundon në një det plot dallgë, nën qiell të përflkur ku erërat flasin me zë shpirtrash, e ku “Ajo e Errëta” zbardhet apo jo, pjesë e të papriturës që autori rezervon për kureshtjen e lexuesit të tij. Dua ta theksoj se ideja e autorit, sipas asaj çfarë unë arrita të kuptoj dhe të nëkuptoj gjatë leximit është mjaft e goditur, ku përmes romanit të tij të sjellë në mënyrë mjaft të arrirë në zhanërin thriller, godet dashje padashje jo pak
nga realiteti, ngjarje të liga, intriga, sjellje të ulta dhe të pa shpirtëra gjer në mizerje dhe çnjerëzoret që jo rrallëherë kan ndodhur dhe ndodhin vërtet në realitet, duke përjashtuar këtu paksa imgjinaten e shfrenuar të autorit gjë të cilën nuk mund të themi se e hasim gjer në atë masë në realitet por që e kërkon stili i të shkruarit. Dhe pikërisht kjo është e bukura dhe veçanta e këtij zhaneri, të cilin autori e ka ushtruar kaq mjeshtërish në këtë liber, i cili me emocionet e tij të forta, imagjinatën dhe fantazinë e pasur, e rrëmben lexueshmërinë e lexuesit duke i fituar vëmendjen dhe përqendrimin fletë pas flete me suspancen dhe trillet e përdorura. Vendi gjithashtu, ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani është sa i bukur në tërësi aq dhe misterioz në disa skuta ku “Ajo e Errëta” gjen terren. Nga përshkrimi i autorit, personazhet ngjajnë interesant pse jo dhe simpatikë, ku të zgjojnë plot ndejesi në rolin e tyre dhe mënyrën se si ata ndërtojnë karakterin e tyre në përfytyrimin tënd si lexues. Mund të them se gjithçka që ofron autori përmes këtij romani, përveç personazheve parësor e dytësore edhe pse gati gati duken të gjithë kryesor, gjithëçka dhe çdo moment është e pasuruar me elementet e përshtatshme të momentit dhe terrenit, asgjë e tepërt, asgjë e stërholluar gjer në bezdisje, gjithkush dhe gjithçka si edhe vetë fjala në këtë roman, është sitemuar dhe mirë “arreduar” nga autori, gje e cila ofron komoditet për lexuesin dhe aspak “xhungel” fjalësh pa ditur ku të kapësh fillin. Pse jo dhe për adhuruesit e filmave triller, unë mendoj se ky roman fare mirë dhe lehtësisht në vijat e përgjithshme , mund të shndërrohet në një film të bukur. Mjafton që një tjetër mjeshtër përtej autorit të romanit , ta shikojë nga këndvështrim regjisorial, pse jo në një të ardhme të shpejtë ta shohim në varjantin film. Përfundimisht dua të falenderoj dhe të përgëzoj autorin Enkelejd Lamja, për këtë liber cilësor e në veçanti në zhanerin e thrillerit ku lexuesi kalon një aventurë imagjinare me emocione dhe mbresa të kësaj natyre. Në një far mënyre librat triller janë një `sfidë`për lexuesin për të thyer monotoninë e të lundruarit në ujrat e njëta dhe të qeta ndonjëherë gjer në monotoni.

Sipas David Corbett:- “Misioni i çdo shkrimtari është t`i jape lexuesit atë që dëshiron në një mënyrë që ai nuk e pret.”

Autori i këtij libri Z. Enkelejd Lamaj ka arritur ta bëj shumë mirë këtë gjë, për lexuesit e tij. Një libër që si lexuesin ashtu dhe bibliotekën e tij, do e pasurojë në menyre të veçantë dhe të pasur përmes artit të bukur të të shkruarit në këtë zhanër.






Botuar tek Gazeta Nacional , e diel, 23 shtator 2018


No comments:

Post a Comment