Monday, December 17, 2018

ÇDO GJË DHE ASGJË

Nata është e jona,
edhe dita,
edhe jeta.
Çdo gjë,
çdo gjë e asgjë!
Derisa shpirtin e kemi të falur,
të shitur, të rrëmbyer, të shtypur,
të mbytur, të uritur,
të braktisur, të molisur,
të ftohtë - akull në acar,
aisberg
që shkrin gjithë kohës,
përmbyt veten,
gjithçka përreth...
Është e jona
hija që na ndjek...


Shkëputur nga libri "KOHA E PAKËT E DRITËS - 2018

Sunday, December 16, 2018

NJË MENGJES JETUAR VËRTET ME PROF. PËRPARIM KABO



Nga: Xhane Imeraj

Që pena të mund të përshkruaj përjetimin në gjithë përmasat e tij origjinale, ajo duhet të ketë shpirtë që frymon në çdo sekondë… Por as fjala me gjithë fuqinë shprehëse të saj, nuk arrin dot ta artikulojë përjetimin e të tërës… Po si mund të shprehet diçka që të përthithet nga çdo qelizë gjaku dhe fillon e jeton me ty, fillon dhe udheton me qënjën tënde, fillon dhe merrë pjesë në rrahjet e zemrës tënde, ku as ajo vetë nuk e di, si, qysh, te`, por vetëm godet ritmikisht epiqendrën e jetës, si mes detit, i thelli burim që buron dhe pluskon qetësisht brënda të tërës dhe valet i shtrinë universit të qënjës dhe përtej bregdetit të yjesisë së qiellit…

Momente hynore, ku muzika është magjia e shpirtit që flet dhe e fjalës që heshtë, dhe i thonë të gjitha ato që përbëjnë të gjithën e pa skaj, ku shpirti mbushet e tej mbushet oksigjen lirie, drithërimë brishtësie dhe forcë njëkohësisht, aty ku zëri kumbon brenda honeve të shpirtit, e dëgjohet gjerë në kupë të qiellit dhe jo vetem, Jam e sigur që po të fillonim e ta pikturonim këtë gjëndje, do të mbeteshim të zhytur në brëndësin e ngjyrave të saj, formave të saj, botës së saj, tërësisë në të tërën, do egzaltoheshim në çastin e përjetësisë, ku nuk do mund të arrinin vitet dhe oret e kurdisura me ndryshkun e metalit të ftohtë, të na llogarisnin ndjesin e shpirtit dhe largëpamësin e prozhektorit të mendjes së ndritur, ku e tkurrë errësirën gjerë në skuten e saj të misterit dhe bllokadës mistike …
– Një mëngjes i jetuar vërtet! Mëngjes që më solli ndërmënd një thënje të babait të romantizmit, dramaturgut, poetit dhe shkrimtarit të madh Viktor Hygo , që thoshte:
““There is one spectacle grander than the sea, that is the sky; there is one spectacle grander than the sky, that is the interior of the soul.”- ” Është një spektakël më i madhe se deti, ai është qielli; është një spektakël më i madh se qielli, është brendësia e shpirtit.”
Dhe pikërisht në mëngjesin e 18 dhjetorit 2015-të , në ambjentet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, dhe konkretisht tek Salla e Kinemasë, B10 , kishim fatin, vërtet fatin, të jemi pjesë e eventit “CreativeMornings Tirana ” event ky që zhvillohej për të disatin vitë me rradhë, ku e veçanta e të cilit është që temat janë globale dhe të ndryshme nga eventi në event, ku mund të themi se zhvillohet çdo muaj, dhe në ambjente të ndryshme. Këtu në Shqipëri zhvillohet gjithmonë brenda Tiranës … tema këto që diskutohen dhe në 130 qytete të botës në të njejtën ditë, dhe konkretish në këtë rast që po i referohemi, tema ishte:
“TIME” – ” KOHA” , Moderator i së cilit ishte Dekani i Fakultetit SHJP, të Mesdhetarit, Prof. Asoc. Dr. Përparim Kabo .
Ku pjesmarrja ishte e plotë, ekipi i eventit, artistë, të ftuar , personalitete të fushave të ndryshme, studente dhe petagogë të nderuar. Nga kjo pjesmarrje kishte edhe nga ata që ishin ndjekës të vazhdueshem të keti eventi, por dhe nga ata qe ishin prezent për herë të parë, ku në këta të fundit futem edhe unë dhe disa studentë të shkollës tonë. Të gjithë pjesmarrësve na u ofrua mundesia që t`i përgjigjemi në mënyren tonë filozofike apo jo, një pyetje : ” Në ç`kohë jeton ti? , të cilën e kishim në një copë letë të posaçme, një si minitezë le të themi, ku nga njëra ana ishte pyetja dhe nga ana tjetër kishim mundesin që të jepnim përgjigjen tonë, si dhe kishim të drejtën e pyetjes ndaj moderatorit, referuesit të Temës: ” Koha” Prof. Përparim Kabo.
Më lartë citova se pjesmarrja ishte e plotë?!
Si ishte e plotë? Nga që u mbush Kinemaja e shkollës tonë dhe që kishte dhe nga ata që rrinin në këmbë se nuk kishte më vende? Po sikur të ishte zhvilluar ky event në Pallatin e Kongreseve, do ishte i plotë? Po sikur të zhvillohej në Stadiumin Qemal Stafa, do ishte i plotë? Jo, Jo nuk do ishte i plot asnjë vend, dhe as një numër pjesëmarrësish brenda këtyre ambjenteve, për një temë të till si,” KOHA” , brenda se cilës ndodhet e gjitha, e gjitha në të gjithën, dhe veçanarisht, theksoj me të madhe veçanarisht, për një mendje të ndritur dhe një shpirtë të thellë si Prof. Përparim Kabo, mendje, shpirtë dhe njeri i lartë, ku kohës dhe shoqërisë i ka dhuruar dhe vazhdon t`i dhurojë vlera të arta !
Njeri që koha i mbetet borxh …
Këtë shkrim për pos dëshirës që të shprehem për Prof. Perparimin, për këtë Njeri universitet më vete, për vlerat e tij, ku nuk dinë njeriu se ç`të shkruaj më parë dhe për çfarë, ku çdo fjalë e Tij, është e artë në vleren e dimensionit formues, edukativ, kulturorë , njerëzorë deri në përafersi të perfeksionit të Tij, toksorë natyrish, por që rrezaton me galaktikën e të menduarit dhe të shpërndarjes së kësajë yjesie diturie edhe tek të tjeret në mënyrën më të thjeshtë dhe më artistike të mundshme, por dhe të thellësisë së shpirtit të Tij aq të thellë dhe madhështor ku mbytet dhe vetë galaktika e tij dhe madhështija e një mendje të ndritur, dije që shëndërrohet në burim njomësie të mendjeve të etura dhe thatësirës së akumuluar kohës së shpërdoruar nga varferia e mendimit dhe zelli i vobekt i kësaj shoqërie …
Të bësh një shkrim për Prof. Perparimin, nuk është e lehtë nga askush, pothuajse nga askush, as vetë Profesori, nuk arrinë të përkufizojë mjedisin “gjeografik” të të gjithë begraundit të Tij, nuk është se gjithë këtë pasuri e ka në mënyrë të pa vullnetshme, jo, jo është i vetëdishem për këtë pasuri, por nuk do të mund ta përmbledhë dot brenda një kornize, hapsiren e pafund të mendjes që çdo ditë hap dritare të reja, e sidomos madhështinë e shpirtit …
Unë nuk po flas me superlativa siç mund të thotë dikush, më besoni, përballë një Personalitetit të tillë, fjala po më ngjan e varfër, ajo çfarë vertetë dua të them, që ndjejë në mendje dhe shpirtin tim për këtë NJERI, që merrë pjesë në gjithë trupin e ketij emëri e kësaj fjale, dhe që i jep vlerën e merituar, unë nuk arrijë dot ta artikuloj me fjalet e duhura, se çdo fjalë që unë mund të them e di që ndritë, por thyhet nga rrezatimi i këtij Dielli njerzor!
Po guxoj të shkruaj këtë shkrim me naivitetin tim, por dhe çiltersinë time më të madhe, ku synimi im nuk është sfida e miut ndaj ariut, por deshira e një filizi të përvetësojë sa më shumë nga rrezet e ketij Dielli, por dhe deshira ime e madhe që t`i them shoqërisë tonë, ku të gjithë ankohem se jeta është vërtet e shkurtër, se Prof. Perparimi, ka një thenje shume të bukur për kohën, ku thotë:
” E dua kohën time,
dua të jetoj sa më gjatë,
në këtë jetë të shkurtër ”
…siç shihet nga thënja Profesori nuk është ankuar nga jeta e shkurtër, por flet për kohën e cila për Të` është e çmuar, ashtu siç është për të gjithë, por varet se si e trajtojmë dhe se sa e respektojme si pronën tonë të çmuar, që në fakt mirëmenaxhimi i saj, është në të mirën e të gjithëve …
Dhe kjo thënje e shumë të tjera gjatë eventit të “CreativeMornings”, që citova më lartë që patëm fatin të zhvillohej pikërisht në Universitetin tonë, tek Mesdhetari, më nxiten edhe më shumë që të marrë iniciativen dhe të shkruaj për këtë mrekulli dijesh dhe ndjenjash të këtijë Shqiptari të ndritur, që nuk e di se sa e zonja do të jem ta sjellë sadopak tek të gjithë ju, që nuk ishit të pranishem në ato momente ta dëgjonit atë 30-minutësh ku shprehu artin e të folurti aq bukur, nën ndriçimin e mendjes dhe dashurisë së shpirtit… Sa do të doja ta kishte degjuar çdo Shqiptare dhe jo vetem !
Do të doja që së paku të mund ta ndjekin në rrjetet sociale apo gjetiu, por kurrë një emocion i momentit nuk perseritet dy herë me të njëjtën forcë madhështie, tërheqëse, magjike, jam e sigurtë se diçka shumë më pozitive dhe e mirë do të kishte ndryshuar për mbarë shoqerinë, dhe mund të ndryshojë vërtetë nëse do ja vënë veshin e shpirtit dhe të mendjes këtij Zëri, si pasuri e madhe për Kombin tonë, ku tashmë është i vlersuar dhe i nderuar, por duhet edhe më, duhet të arrije pjedestalin më të lartë, të hyjë në zemrën dhe mendjen e çdo Shqiptari, sepse mendoj se koha po vuan që të jetohet vërtetë, nga njerëzit e vërtetë ! Dhe pikrisht pra ky është synimi im, që ky shkrim paçka se mbase jo në parametrat e duhura, fundja kush më thotë se përtej parametrave nuk dilet, apo kushë me thotë se brenda parametrave unë nuk mund të “gatuaj” në stilin tim, në parametrat që herë i matë me forcen e shpirtit, herë me forcen e mendjes dhe shumicen e rasteve me deshirën e mirë që të kontribuoj sadopak në mirësinë e të gjithëve..!
Ishite fjala e Prof. Përparim Kabo, në vetem 30`minuta në mënyrë orale sipas kritereve të formatit, në ” Creativemornings” Tirana , që na meku, na egzaltoi, me zërin e tij pothuaj se hynor, fjalën e tij të artë dhe me plotë vlera, mendja e Tij e nderthurur me shpirtëroren teksa na fliste për kohën, jetën dhe atë çfare e përbën atë, kur fliste për njeriun dhe vlerat e tij, për shoqerin me të metet dhe padijet e saj, gjithçka e lidhur me kohën në të gjitha etapat e saj , kohën në të tërë kohën, ku ndër të tjera thoshte : ” Duhet të bëjmë një pyetje vetës, se: – Sa mesjetë ka brenda nesh ? dhe me pas theksoi se kjo është pyetje që ka të bëjë me fatin e njeriut, mesjeta e kulturuar, antikiteti etj,etj
…” Jetoj në kohën që nuk më mjafton sepse e sjell të ardhmen me shpejt se ajo të vijë si kronos..” , ju përgjigjë Profesori pyetjes se në “Ç`kohë jeton ti ?” Shoqëria duhet të ketë kreativitet dhe dashuri, vazhdoji më tej, ku çdo fjalë që thoshte, çdo fjali, çdo mendim ishte aq e thellë, aq njerëzore dhe aq e nevojshme që të përvetësohej nga të gjithë, nga e gjithë shoqeria jonë kaq e “sëmurë” mund të them, nga humbja e kohës dhe mos produktiviteti i saj … Si ka mundësi vallë që jetojmë në gjithë këtë minjerë me pasuri të gjithanshme , shpirtërore, mendore dhe materiale dhe të jemi një shoqeri kaq e prapambetur, dhe deri diku rrobotike, ku asgjë nuk përparon, ku çdo gjë është kaq e vobektë dhe e pakët , aq sa vetem mbijetojmë në minimalen e jetes tonë të zënë peng nga antivlera e çdo hapsire dhe e çdo niveli dhe hipokrizia ndaj vetë jetës dhe fatit të ardhmërisë sonë?
Si mund të mjaftohemi vallë me mbijetesen, ku Ne mund te jetojmë vërtet??
Prof. Kabo , kishte shumë përgjigje brenda oratorisë së tij, fjalës së tij, kishte shumë rrugëdalje në lehtësinë e mëndjes së ndritur, dhe shpirtëmadhësisë së tij, asgjë nuk ishte e pamundur, asgjë nuk ishte mbitoksore …thjeshtë ishte ajo çka njeriu i arrirë tregonte në thjeshtësin e tij, se si deti shtohej çdo moment nga çdo rrjedhë sado e vogël apo e madhe lumenjësh, po që dinte ta orjentonte drejtë thellësisë së tij ..!
… Pyesim njëri -tjetrin për shumë gjëra, dhe nuk e pyesim asnjëherë se ” Si e ke shpirtin sot ” u shpreh në një moment Profesori… pa mendojeni pak o njerëz, se sa e thellë dhe nejrëzore është kjo pyetje, sa ndjenjë dhe dashuri ka brenda saj, nëse do fillonim ta përdornim me sinqeritet dhe vërtetësi me njëri-tjetrin, duke ju larguar robotikës dhe formales siperfaqesore, përshëndetjes dhe përqafimeve akullnajore !
Si e ke shpirtin…?!
E nisa këtë pyetje si e ke
shpirtin sot
Grija e qiellit më provokoi të
pyesja
si është shpirti yt?!
Gri, më the, si largësia që na
ndan
e pezull mbetemi…
etj..
…vargje të penës së Profesorit, që i shkëputa nga poezia e hedhur në rrjetet sociale “fb” me tiullin kaq madhështor “Si e ke shpirtin sot?!” që Ne të gjithë mund t`i bashkangjitemi kësaj magjie.
Pa dashurinë njerëzore, thahet gjithçka … theksoj më tej atë ditë Profesori, pra me këtë kuptojmë se dashuria është burimi ku koha dhe vetë Ne mund të gëzojmë të tërën e qenjës dhe mund të marrim vlerën e të gjithës …
… Moxarti kompozoj që nga mosha katër vjeç, pra shfaqi talentin e tij për muzikën … Unë isha 6-vjeç, në atë fazen kur fillojnë dhe pyesin fëmijet se çdo t`i dhurosh Nënës, dhe fëmijet si zakonishtë në këtë rastë shprehen për dhurata të ndryshme… Unë u shpreha: – ” Do mendoj më të mirën” dhe akoma kam fatin të mendoj ” pra Unë që në atë moshë shfaqa, MENDIMIN. u shpreh Prof. Përparimi. Sa bukur ! Sikur të gjithë të mendonim më të mirën, për Nënën, për vete dhe të tjeret, sa e mirë, e qetë, në paqe dhe e realizuar do ishte shoqëria jonë, jeta jonë. Mendimi i të menduarit thellë të asaj çfarë dëshiron t`i marrësh më të miren . Që jeta të ndjehet krenare për “përdoruesit ” e saj dhe jo të vajtojë gjithë kohën, për shpërdoruesit e saj…
Koha është memorje, dhe në qoftë se ne nuk rrespektojmë memorjen, ne jemi pa busull … ishte një tjeter thënje e Profesorit !
Po për çfar memorje flasim ne, kur sjemi të aftë që sot të mendojmë për sot? Për çfarë busulle flasim, ku ne jemi “akomoduar” tashme në kryqezime fati, ku nuk dimë se nga të marrim, nuk dimë se çfarë kërkojmë, si dhe në ç`mënyrë duhet kërkuar. Ç`busull, ku ne nuk kemi, ëndërr as zgjuar një destinacion ku duam vërtet të mbërrijmë, thjeshtë ne ecim pa ecuar dhe arrijmë asgjëkundi ..!
Si mundet vallë intelektualiteti i shoqerisë tonë, truri, mendja e zgjuar, të mos i japë drejtim shoqërisë tonë të përvuajtur, që ka degraduar dhe po degradon çdo ditë dhe më thellë në informalitet të gjithçkaje dhe në pafundesi qorrsokakesh, ku as fëmijëve nuk u sigurojmë dot, ëndërra të qeta dhe të bukura, që të mos zhgënjehen nga jeta akoma pa e filluar mirë.Të gjitha instrumentet e dijes, e asaj çfar kemi përvetësuar nga shkolla dhe jeta, dhe dëshirës së mirë, duhet të vrasin errësirën e zënë myk, që po na e zë frymen … Ne duhet t`i gëzohemi jetës tonë e jo të rrimë duke e vajtuar me ligjerimet e kohës që nuk pati kohë për kohën tonë , ose për kohën që Ne nuk i dhamë kohë të na merrte në brendësin e saj të zhvillimit dhe prosperitetit njerëzore ,social dhe ekonomik dhe të të gjitha sferave tona jetike …
Në këtë event, Prof. Kabo , tha më shumë seç tha, si gjithmonë me botën e tij të tejskajshme, unë u mundova të mbaja shenim të tërën, por dhe une e egzaltuar pas asaj që degjoja nuk arrija dot , por atë pak çka munda ta rrëmbej u mundova ta shpreh me fjalet e mia gjatë gjithë këtij shkrimit, që mbase do të ngjajë i gjatë, por që nuk është asgjë krahasuar atyre momenteve që mund të them me plot gojen që ishin magjike, ku të gjithë të pranishmit pothuajë se harruam të rrihnim qerpik, edhe frymen e kishim të thellë por tejet të qetë sikur po jetonim vërtet në një tjetër plant … Ishin momente unike, që të rrëmbenin në artin e bukur të fjalës, ndriçimin e zgjuarsisë dhe në vetë thellësisë së njeriut të arrirë .. Ishin ndër momentet më të veçanta në jetën time , dhe besoj dhe për shumë të tjerë.., dhe që dëshirojë shumë që t`i ndaja dhe me të tjerë !
Gjatë këtij eventi të mrekullueshem, magjike ishin dhe momente kur aktori korçar Ligoraq Riza, si mjeshter i fjales poetike, interpretoj për ne, poemen ” Kosovari” të Mitrush Kutueli-t , si dhe ” Ku shtrohet vala” e Lasgush Poradeci-t etj.
Prof. Përparimi, jua kërkoj ndjesë sepse mbase nuk munda të shprehem në këtë shkrim ashtu siç në të vërtetë duhet për lartësinë e figurës Tuaj, u përpoqa shumë por që në fillim nuk pretendova dhe as nuk i premtova vetes se do arrija t`i them të gjitha sepse jam kaq e vogël përpara diturisë tuaj , por qëllimi im ishte që t`i bija njëherë këmbanës me gjithë fuqin time shkruese dhe dashamirëse, vlersuese gjithashtu, që shoqëria jonë ta dëgjonte dhe nga unë, dhe të ndjehej krenarë se ka një vlerë të tillë në mesin e saj për tu admiruar . Personalitete të tilla si Ju, jo vetem që do na nderonin , por do na e bënin jetën kohë të jetuar dhe jo kohë e humbur në inerci…Jeni shëmbull që vlerson jetën në gjithë dimensionet e saj !
Unë jam e bindur që Ju jeni vlerë e paçmuar për Kombin tonë!
Vetë koha do ju mbajë në brendësin e saj , si një trup i vetem, si vet kuptimi i të jetuarit !
Po e mbyll me një thënje të thjeshtë nga unë , që mbase thotë shumë për të gjithën sa më lart:
” Koha kurë mbushet me vlera
nuk është kohë por përjetësi ! “ 

Botuar tek:
 Portali Zëri i Shqiptarëve – VOAL
By  | December 28, 2015 
https://www.voal.ch/nje-mengjes-jetuar-vertet-me-prof-perparim-kabo-nga-xhane-imeraj/


Saturday, December 8, 2018

NUMËROJ RRUFETË










NUMËROJ RRUFETË


Binte shi.
As çadër nuk kisha, 
as strehë.
As vrapoja, 
as hapin shpejtoja.

Rrugëve të heshtura 
numëroja rrufetë 
dhe pemët e rrëzuara
rrugëve adresëhumbur,
kryqëzimeve...

Kujtimet mbyteshin puseve 
e dilnin bregut tjetër të shpirtit
si dëshmi e zhgënjimit, 
mbetur reliktë
gjurmëve të humbura 
të qytetit tim...

Sunday, December 2, 2018

UDHËTUAR KISHTE KOHA



- Cikël poetik nga Xhane Imeraj



ZOT, VEÇ MALET ISHIN PO ATA
E vrenjtur koha,
Hidhëruar koha,
Përmalluar koha,
Udhëtuar kishte koha.
Ec e ec
E aty se aty.
As aty jo;
Koha s’po njeh më as orët e veta…
Heshtur lundronte lumi
Duke përplasur vetminë e tij
Brigjeve të thepisura.
Shtratit konturzgjeruar
Malli ka zënë lëmyshk,
Në thellësi të shpirtit,
Aty ku mbytet loti…
Vendlindja si dikur,
Në çdo cep sot,
Kush të na thotë
Mirë se erdhët?
Kujt t’i themi
Mirë se të gjetëm?
Kujt t’ia shprehim mallin,
Kujt t’ia dëgjojmë hallin?
Ky mall veç u shtua…
Piskamë e kujtimeve
Thyente muret akullnajore të vetmisë.
Tjetër vendlindje kërkonte shpirti,
Atë që kishte lënë dikur.
Shtëpitë,
Kullat tona
“Medet” sa ishin plakur!
Zot, veç malet ishin po ata…
I FALEM TOKËS
I falem tokës që më lindi,
Kombit tim, Shqipëri
Që më bën të ndihem kaq krenare
Me gjakun ilir!
Nderim pragut, gjakut,
Djepit që më rriti,
Tokës së bekuar,
Diellit që më ndriti!
I përulem familjes, fisit,
Bytyçit, gjithë krahinës,
Bjeshkës së Sylbicës,
Gusanit dhe Gjorovicës!
I përulem ujit të kulluar,
Kroit të Ehllit të fshatit tim,
I falem maleve të Tropojës,
Valbonës pa shterim!
I falem majës së Shkëlzenit
Që shpirtin ma ndriçon,
I falem gjuhës shqipe
Që kaq bukur tingëllon!
I përulem historisë së Atdheut –
Një jetë me plagë të hapur,
Flamurit kuq e zi
Ku të gjithëve na bashkon gjaku!
Nderim të parëve tanë,
Themeleve të qëndresës,
Nderim traditave tona,
Urtësisë, trimërisëm besës!
I falem gjithë foleve
Të shqipeve të malit,
I falem tokës, detit, qiellit
Aty ku rrënjët ka shqiptari!
SHTËPIA IME
Shtëpia ime,
Kaq vite u bënë,
Vite të largët,
Vite të akullt,
Arrati fati,
Mergim vaji,
Lot që s`pushon!
Shtëpia ime –
Fole kujtimesh,
Fëmijëria ime,
Hapat e mi,
Oborri im,
Vrapi i jetës,
Mall në gji!
Shtëpia ime,
Themelet e mia,
Oxhaku im,
Djepi i shtatit,
Pragu i nderit,
Kullë e gurit,
Krenari!
Shtëpia ime,
Kryelarta ime,
Fisnikja ime,
Mikpritësja ime,
Bajraku im,
Trualli im,
E imja histori!
Shtëpia ime,
Kulla ime,
Mall për ty!…
DJEP DHE QIELL
Ah, vendlindje,
Vendlindje!
Më dhemb shpirti kur të shikoj
Ato pak të meta,
Shumë të meta,
Gjithë të meta…
Por unë dua të të shikoj ndryshe,
Ashtu siç të dua,
Me shpirtin që të adhuron.
Ah, vendlindje e afërt,
E largët një jetë!
Në zemër më fle,
Në mendje zgjuar më rri,
Frymë e gzistencës
Ti më je!
E bukura,
E vrazhda,
E molizura vendlindje!
Malli i dyfishtë i shpirtit tim
Këngë dhe vaj!…
Ah, Ah, vendlindje!
Sa mall,
Sa dhimbje ndjej
kur jam larg!
Zogjt e shtegut
Bashkë me erën
që ikën ngufosur
Më thonë;
Vendlindja ka ndryshuar,
Mplakur,
Thinjur
Në vetvete rrënuar
Braktisur…
Oh, oh zë i largët,
Fëmijëria ime,
Ti mos më lër,
Aty rri,
Aty më prit
Gjithmonë,
Gjithmonë do të vij aty
Si fëmijë
Vetëm si fëmijë naiv
Që e lumturon gjithçka e jotja!…
E dua thjeshtësinë tënde
Skaj më skaj ,
Një lule gladiolë
Me bukuri të brishtë,
E para në pranverën larë bore,
Një rreze dielli
Oh, si aty askund tjetër!
Një lumë ushtin malesh,
Një kodër mes fushe,
Guaska e shpirtit më je,
Djep dhe qiell!…
MALL PËR JU LIVADHET E MIA
Më zgjoi mallin e pa fjetur
Ky livadh sot i kositur.
Aroma e sanës më çoi n’vendlindje,
Mes livadheve në Fushë të Bytyçit.
Mall për ju, livadhet e mia,
Fushë bujare, det jeshil,
Gjallëria e viteve, atyre viteve, vite
Kur mes jush rendja me vrapin tim.
Tek humbisja barishtes së njomë,
Në ylberë lulesh plot brezare,
Plot me bar, tërfil dhe jonxhë,
Tokë e bekuar plot thesare.
Atje ku kositësit nën hije të lisit
Cokasnin kosat, kull, çokiç e rrasë,
Renditeshin livadhit bash si korilat
Nga një otkos për çdo kostar…
Ku shtrohej sofra në mes të fushës
Plot me bereqete e bekim e mbushur,
Hambari tokës nën qiell të hapur,
Jetë modeste në thjeshtësinë e lumtur.
Më zgjoi mallin e përlotur
Aroma e sanës, bar i kositur,
Për një çast si zog fluturova
Në qiell të kthjellët,
Mbi Fushë të Bytyçit…
BËHU I EGËR SI MALLI IM
Ah, vendlindje,
Qiell dhe tokë,
Vullkan i shpirtit mërguar!
Mall po kam sa lotin s’po e ndal,
Rrugët e ikjes kam mallkuar.
T’lutna fort, o Gjogu i bardhë,
Merr yrysh për në ato vise
Turravrap ti pa u ndalë,
Shpat më shpat,
Brigje më brigje!
Bëhu i egër si malli im
Që furishëm shkelmon kraharorin,
Vrapo rudinave të bjeshkës sime
Në atë Sylbic të Bytyçit
Bekuar prej Zotit..!
SHTËPIA IME ERDHA
Shtëpia ime, erdha,
Më shikon, erdha përsëri!
Kam vite që mallkoj rrugët në ikje,
Sot i bekova, më kthyen tek ti,
Më solli malli që rrokulliset
Lumit të zharitur për ty.
Shtëpia ime, erdha!
Këtu më rrinte mendja, më rrihte zemra,
më dhimbte shpirti.
Këtu sot qerpikët po shkundin mall,
Loti im, loti yt,
E njëjta re në të njëjtin qiell,
Po ajo dashuri…
Shtëpia ime, erdha!
Pragu u mallëngjye kur më pa,
Dyert dhe dritaret dyshuan në jam e vërtetë,
Kujtimet më morën përdore,
Si dikur nëna ime
Qoshe më qoshe më brodhi kujtimet,
Ëndrrave të mëdha të atëhershme
Thurur me rreze dielli,
Naivitetit të çiltër
Në ag të jetës.
Shtëpia ime, ika!
Me vete oxhakun tënd e mora,
Ta mbaj ndezur në shpuzë të shpirtit,
Të mos ngrij në dhe të huaj…




  Botuar tek:
  Portali Zëri i Shqiptarëve – Voal
                 By  | May 19, 2018 

https://www.voal.ch/udhetuar-kishte-koha-cikel-poetik-nga-xhane-imeraj/