Sunday, January 12, 2020

NJË POPULL PA HISTORI, ËSHTË NJË POPULL PA TË ARDHME – Muzeu “ Bajram Curri”

– Përuruar më 11 Janar 1988
1.Pak historik rreth muzeve
Muzeu është një institucion që mban, mbledh, paraqet dhe kujdeset për ruajtjen e koleksioneve, objekteve dhe artefakteve të shumta me rëndësi artistike, kulturore, historike dhe shkencore.
Muzetë kanë një histori të gjatë, fillon diku që nga shekulli III , kur muzeu i parë i njohur u hap në Universitetin e Aleksandrisë në Egjipt. Sipas gjuhëtarëve fjala “muze” ka origjinë klasike, e cila në formën e saj greke “Mouseion vjen nga nëntë Muzat, perëndeshat klasike greke të frymëzimit. Përdorimi i derivatit latin, “muze”, duket se ka qenë i kufizuar në kohërat romake. Megjithëse, (Mouseion) i famshëm i Aleksandrisë së lashtë ishte më shumë si një universitet, me një bibliotekë të rëndësishme, sesa një vend për shfaqjen e objekteve. Muzetë u shfaq si ndertesa të veçanta më vete dhe jo të bashkangjitura me  manastiret, institucionte apo pallate të ndryshme, në shekullin e 18-të. Sot, ndërtesat e muzeve  konsiderohen si vepra arti.
Me kalimin e viteve, kultura e muzeut është përhapur në pothuajse çdo pjesë të botës, ku tashmë  është bërë e pazakontë të gjesh ndonjë vend apo dhe qytet që nuk ka një muze, sado i vogël të jetë ai.
Muzeu është një institucion ku trashëgimia materialet historike, artistike dhe edukative i ekspozohen publikut. Ekzistojnë disa lloje muzesh, ndër pesë llojet kryesore të muzeve janë, përkatësisht muzetë e artit, muzetë e historisë, muzetë e shkencave të aplikuara, muzetë e shkencave natyrore dhe muzetë e përgjithshme.
Muzetë janë themeluar për një sërë qëllimesh: të shërbejnë si ambiente argëtuese, ambiente studimore ose burime arsimore; të kontribuojë në cilësinë e jetës së zonave ku ndodhen; për të tërhequr turizmin në një rajon; për të promovuar krenarinë qytetare ose përpjekjen nacionaliste; apo edhe për të transmetuar koncepte ideologjike sipas periudhave. Duke pasur parasysh një shumëllojshmëri të tillë qëllimesh, muzetë tregojnë një larmi të jashtëzakonshme në formë, përmbajtje dhe madje edhe funksionesh. Megjithatë, pavarësisht nga një larmia e tillë, muzetë kanë një qëllim të përbashkët: ruajtja dhe interpretimi i disa aspekteve materiale të vetëdijes kulturore të shoqërisë. Aktualisht, muzetë në botë, konsiderohen si institucionet kryesore në botën e jetës kulturore.
Dita Ndërkombëtare e Muzeut (IMD- International Museum Day) është një festë ditore globale që zhvillohet çdo vit më, ose rreth datës 18 maj, e koordinuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM). Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve koordinon gjithashtu ngjarjen e cila do manifestohet në kuader të kësaj dite nga të gjithë shtete apo komunitetet muzeale të përfshira. Ngjarja thekson gjithmonë një temë e cila vazhdon të ndryshojë çdo vit që është në qëndër të preokupimeve të bashkësisë ndërkombëtare muzeale. Konkretisht, Dita Ndërkombëtare e Muzeut 2020, do ketë si temë: “Muzetë për Barazinë: Diversiteti dhe Përfshirja 2020” . Kjo ditë u jep mundësinë profesionistëve të muzeve të takohen me njerëz dhe t’i informojnë ata rreth sfidave me të cilat përballen muzetë. Dita Ndërkombëtare e Muzeut shërben pra si një platformë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rolin që luajnë muzetë në zhvillimin e shoqërisë sot, në nivel lokal, kombëtar apo ndërkombëtar.

  1. Muzeu “Bajram Curri”

Të gjithë muzetë kanë një histori për të treguar.
Në Shqipëri, për fat të mirë,  kemi disa dhjetra muze të kategorive të ndryshme, ku spikat secili në veçantinë e tij, historinë, kulturën dhe artin që ofron.
Ndër më të njohurit siç e dimë janë: ” Muzeu Historik Kombëtar” institucioni muzeor më i madh në Shqipëri, i cili ndodhet në Tiranë, si   dhe “Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu” që ndodhet në qytetin e Krujës.
Paharruar edhe një tjetër muze jo pak i njohur dikur, Muzeu “Bajram Curri”, muzeu që mban emrin e Heroit të Popullit shqiptar Bajram Currit, që ndodhet në qytetin me po të njëjtin emër Bajram Curri, mes alpeve të mrekullueshme shqiptare, me një   arkitekturë  tepër të bukur dhe të veçantë, projektuar nga Ark. Maksim Mitrojorgji, ndërtim i vitit 1985, i cili ka  qenë ndër më të pasurit në vend, jo vetëm për historinë e Tropojës, por si Malësi e Gjakovës, edhe për historinë e Kosovës dhe shumë prej trojeve shqiptare.
“ Por sot, Shqypni, pa m`thuej si je ?~ (Pashko Vaso) “
  • Por sot, Muze, pa m`thuej si je?..

Them ka qenë, sepse fatëkeqësisht, pas trazirave të vitit 1997, ky muze ekziston vetëm si ndërtesë. Nga i gjithë “arsenali” i tij historiko-kulturor, në muzeun tonë ka mbetur  vetëm basorelievi në hyrje të Muzeut, ndonjë mozaik apo murale, madje edhe këto jo pak të dëmtuara. Muzeu ynë si një vepër arti, tashmë i përçudnuar  dhe i dëmtuar si ndërtesë, ku do të duhet patjetër të ndërhyhet për një rikonstruksion të pjesshëm të tij, për të ardhë në kushtet optimale të një muzeu , ku të mund të shpalosim më pas historin, kulturën, dhe identitetin tonë.
Çdo objekt i këtij muzeu ka pas rëndësinë e tij, duke mbartur në vete potencialin tregues, rrëfyes, dëshmues, vlerë nga vlera jonë, që shpalosej, ekspozohej për ne dhe vizitorët.  Objekte këto ku disa prej tyre ishin qindra dhe mijera vjeçare si: Xhubleta 3000-vjeçare e Nikaj Merturit, Pasaporta origjinale e Heroit Kombëtar  Bajram Currit,  e vitit 1924, si dhe  Djepi i shpuar nga plumbat në Bytyç në Luftën e Dytë Botërore,  e shumë e shumë objekte të tjera, pjesë e rrënjëve tona, historia jonë, trashëgimia jonë të cilat tashme nuk ndodhen në muze. Urojmë me shpirt qe t`i ketë dikush në mbikqyrje, që të mos kenë humbura fare, dhe sa më shpejt të rikthehen në muze, e  natyrisht duke i falenderuar secilin prej poseduesve të këtyre objekteve muzeale, për ruatjen e tyre në kohë trazirash. Tropojanët, vendlindasit e mi të nderuar, e duan të bukurën, artin, historinë e tyre të vështirë dhe të lavdishme dhe jam e sigurtë se jo vetem muzeu , por i gjithë qyteti, fshatrat, rrethi ynë, do vijë duke u ndërtuar dhe duke i shtuar vlerat kulturore, arritjet dhe zhvillimin për një jetë më të pasur dhe më të mire për të gjithë si nga ana ekonomike edhe ajo kulturore.
***
Pa histori, do jemi
ca trupa të shkeputur, në ajër
që as rrënjet nuk i gjejmë
dhe as toka nuk na njeh …

Sëmundje e cila dëmton pjesë të ndryshme të trurit, duke përfshirë kujtesën, inteligjencën dhe gjykimin, quhet Alzheimer… E njëjta gjë, madje edhe më e dëmshme për bashkësinë tonë , vendlindasit e mi të nderuar,  është “Alzheimeri” i një historie të tjetërsuar, të pa ruajtur, apo dhe të humbur. Në një rast të tillë humbet memorja jonë e përbashkët, dëmtohet inteligjenca jonë, sepse, asaj do i mungojë sfondi historik nga ku fillon kërkimet dhe studimet e saj, dobësohet gjykimi, mendimi ynë, sepse objektet e vendosur në një muze janë kryesisht unikë dhe përbëjnë lëndën e parë të studimit dhe kërkimit.  Dhe mos bërja kujdes, ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë tone paraardhëse, rrezikon, (mos o Zot) që ngadal-ngadalë të humbasim rrënjet tona, ushqimin tonë shpirtëror dhe mendor, traditën, historinë, dhe siç thot dhe motoja nën të cilen sot tropojanët të kudo ndodhur brenda dhe jashtë Shqipërisë dita-ditës po bashkohen”  “ NJË POPULL PA HISTORI, ËSHTË NJË POPULL PA TË ARDHME” .Por ne nuk do pajtohemi me këtë fat të pafat. Ne do t`i tregojmë vetës dhe brezave që do të vijnë,  se ne i duam rrënjet tona, e duam dhe jemi krenarë me historinë tonë,  e duam të ardhmen dhe do kujdesemi  fort që ajo të jetë sa më e ndritur.
  1. Ejani të mblidhemi rreth museut dhe të ndjehemi krenar
Dikur, grabitja dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ka qenë një tipar i konfliktit të armatosur për pothuajse aq kohë sa kemi të dhëna konflikti, luftrash. Për mijëra vjet u perceptua si e drejta e fitimtarit për të marrë pronën e një armiku dhe për ta shkatërruar atë që nuk mund të merrej. Relievet asiriane tregojnë thesin e tempujve dhe heqjen e perëndive; koloseu në Romë u ndërtua me plaçka të marra nga trasta e Jeruzalemit; pjesë qendrore të shumë koleksioneve muzeale kombëtare evropiane, duke përfshirë Muzeun Britanik dhe Luvrin, janë fituar gjatë fushatave të tilla jashtë vendit. Teoricienët të shumtë ushtarakë kanë argumentuar se dëmtimi dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore të armiqve të mposhtur, është praktikë e keqe ushtarake.
Sot, Konventa e Hagëse 1954 “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”  mbetet legjislacioni kryesor ndërkombëtar në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në rast konflikti të armatosur.
Me këtë dua të dal tek rebelimi i vitit 1997 i njohur ndryshe edhe si Kriza Piramidale, e cila si në të gjithë Shqipërinë la pasoja të mëdha edhe në Tropojë, vendlindjen tonë. Nga kjo gjendje anarike ku u përfshimë, pothuajse çdo gjë doli jashtë kontrolli, çdo gjë u pervetësua ose u shkatërrua, nga ku nuk shpëtoj as Muzeu ynë. Ndaj detyrë e ne të gjithëve nuk është të gjejmë fajtorët apo të gjykojmë, këtë e bën zakonisht koha, por të investojmë në vlerë monetare aq sa mundemi, “të gjithë nga pak, mundemi shumë” dhe të kontribuojmë duke sjellur objekte të ndryshme muzeale, që të pasurojmë muzeun, vendlindjen, vetën tonë.
Ndaj,vendlindasit e mi të nderuar,  le të mblidhemi dhe ta rimëkëmbim edhe një herë Muzeun “Bajram Curri”, ja kemi borxh këtij emëri, ja kemi borxh vetvetës dhe  brezave që do të vine,ja kemi borxh paraardhësve tanë, ne i kemi lënduar ata, të cilët në kushte shumë më të vështira kanë mundur të na sigurojnë trashëgimi jo pak të pasur, të cilën e përcollen tek ne, për ta ruajtur, pasuruar dhe trashëguar tek brezat e adhshëm. Le të na bëhet vath në vesh, e të mos përsëritim më të tilla gabime. Të gjithë jemi NJË, të gjithë e shkatërruam, të gjithë të mblidhemi dhe ta rindertojmë përsëri, siç ka qënë pse jo edhe më të bukur. Të vijë një kohë e bukur ku të shikojmë gjyshërit, gjyshet me niperit dhe mbesat e tyre duke vizituar muzeun, apo prindërit me fëmijet e tyre, grupet shkollore, grupe të ndryshme shoqërore nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Diaspora, nga të gjitha trevat shqiptare. Ku patjeter, edhe vizitorët e huaj do jenë më të shumtë,  që përveç të mirës ekonomike, do bëjnë dhe shperndarjen në botë të histories dhe kulturës tonë.
Ndaj kjo thirrje shkon për të gjithë tropojanët, kosovarët me të cilët kemi të përbashkët jo vetë muzeun, por edhe frumën që marrim, edhe kafshatën që përtypim, plagën, lotin dhe gëzimin.
Thirrje për të gjithë shqiptarët që duan të kontribuojnë për Muzeun “Bajram Curri” kulturën shqiptare.
Një detyrë e madhe i bie edhe vetë Ministrisë së Kulturës, e cila në bashkëpunim me Bashkinë e Bajram Currit, duhet patjetë të përkrahë këtë nismë, dhe të sponsoriziojë  dhe të marrë pjesë në hartimin e një program të detajuar për ringritjen e këtij Muzeu me mjaft vlera.
Ftoj gjithashtu biznesin tropojan dhe atë kosovar, për të dhënë koontributin e tyre në të mirën tonë të përbashkët, në ruajtjen e vlerave tona.
Vendlindasit e mi të nderuar, siç mund ta dini edhe ju, në botë ka qindra e mira vullnetarë dhe miq të muzeve, që i mbrojnë dhe u japin jo pak vlerë muzeve të tyre.  Ejani të mblidhemi edhe ne rreth museut tonë,  dhe të ndjehemi krenar për vetën.
Sa bukur është shprehur John F. Kennedy, ish  President i SHBAs :
“Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju
– pyesni se çfarë ju mund të bëni për vendin tuaj .”

Xhane Imeraj, Tiranë
11 Janar 2020
—————–
- Shenim: Ky material është referuar në disa burime dhe përkthime, me qellimin e mirë për të realizuar një ese sa më të detajuar dhe me vlerë për lexuesin. Material ky i cili i bashkangjitet nismës “NJË POPULL PA HISTORI, ËSHTË NJË POPULL PA TË ARDHME”. i krijuar kohët e fundit me idenë dhe dëshirën e rimëkëmbjes së Muzeut “Bajram Curri”.


• Botuar tek:
Portali Zëri i Shqiptarëve - Voal
By  | January 12, 2020
https://www.voal.ch/nje-popull-pa-histori-eshte-nje-popull-pa-te-ardhme-muzeu-bajram-curri-nga-xhane-imeraj/